E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hanover nderon Lalën: Auf Wiedersenhen!

Katërmbëdhjetë vjet te klubi gjerman, lamtumirë madhështore për luftëtarin

50 mijë tifozë në stadium veshin bluzën me numrin 8

Është absolutisht një nga nderimet më të larta që i bëhet një lojtari shqiptar në fund të karrierës së tij nga një klub i huaj. Ky është shqiptari i Hanoverit, Altin Lala, të cilit pritet që ti bëhet lamtumira madhështore dhe spektakolare nga ky klub.
I respektuar më shumë se cilido, i sakrifikuar në mjaft raste aty ku skuadra ka pasur nevojë, karizmatik, lider, kapiten për 5 vjet radhazi, por me raste edhe polemizues e gjaknxehtë jo vetëm me kundërshtarët, por edhe me shokët e skuadrës. Dhe përveçse një ndër më të paguarit në skuadër (të paktën deri para katër sezonesh), ajo që e dallon më shumë nga të tjerët, dhe për të cilën te Hanover i heqin kapelën, është besnikëria e përkushtimi 14-vjeçar, si rrallë ndonjë lojtar tjetër në historinë e kësaj skuadre. Pesëdhjetë mijë tifozë në AWD-Arena të Hanoverit pritet të veshin fanellën me numrin 8, që ka mbajtur në shpinë te kjo skuadër gjatë gjithë karrierës Altin Lala. Më pas, spektakli do të vazhdojë me nderime që ish-kapitenit kuqezi do ti bëhen nga drejtuesit, kolegët, ish-lojtarë të kësaj skuadre ndër vite dhe nga mijëra e mijëra fansa që do shikojnë për herë të fundit Altin Lalën me fanellën e Hanoverit në përballjen e fundit të këtij sezoni ndaj Kaiserslauternit. Askush nuk e njihte atë djalosh thatik pasditen e 21 korrikut 1998, kur ai u paraqit në seancën e parë stërvitore të Hanoverit. Sapo kishte firmosur një kontratë trevjeçare me këtë klub, i cili sapo ishte ngjitur në Bundesliga 2. Lala kishte provuar futbollin inferior më së pari në Gjermani te Borusia Fulda, ku pati luajtur gati tri sezone. Kishte ardhur në Gjermani në 1994-n me ekipet e moshave të Shqipërisë dhe nuk ishte kthyer më te Dinamo e Tiranës, ku kishte startuar karrierën e tij futbollistike. Pa kaluar më shumë se 1 javë dhe, më 30 korrik 1998, vjen debutimi i tij te Hanover, në fitoren e kësaj skuadre 1-0 ndaj Karlsruher. Luftëtari (kjo është nofka që i patën vënë tifozët e Hanoverit) dha një kontribut të jashtëzakonshëm që kjo skuadër të ngjitej në Bundesliga 1 dhe më 11 gusht 2002 vjen debutimi i tij në elitën e futbollit gjerman, në një ndeshje përballë Hamburgut. Nga ai moment ai numëron më shumë se 150 ndeshje në Bundesliga 1 dhe më shumë se 300 në të gjitha kompeticionet (Bundesliga 1, 2, Kupa e Gjermanisë dhe Kupa të Europës). Ai mbahet mend edhe si lojtari që ka shënuar vetëm një gol në Bundesligë gjatë gjithë karrierës së tij: 31 janar 2007, Lala shënonte në fitoren 5-0 të Hanoverit ndaj Hertës së Berlinit. Nuk di se çfarë të them. Jam tejet i emocionuar. Më dridhet gjithë trupi vetëm kur imagjinoj një stadium të tërë, të paktën për një moment, i tëri i imi. Kam një jetë te ky klub, i cili më është bërë si një shtëpi. Kur mendoj tani se do jetë ndeshja e fundit te Hanover, ndihem tejet i emocionuar, ka pohuar vetë Altin Lala.

Presidenti, Martin Kind: E meriton, ka qenë unik
Për presidentin e Hanoverit, Martin Kind, Altin Lala e meriton gjithë këtë respekt. Madje, ai thekson se ndoshta klubi nuk po bën aq sa ka dhënë shqiptari realisht në 14 vite të karrierës së tij te Hanover. Respekti për Lalën është në kufijtë maksimalë, pasi një gjë të tillë ai e ka merituar denjësisht. E shikoj si një lamtumirë të jashtëzakonshme, e cila nuk ka ndodhur më parë te klubi ynë. Por më besoni, Altini e meriton gjithë këtë, pasi ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm por edhe një person i jashtëzakonshëm. Altini, me aq sa di, ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të gjitha mundësitë që i janë dhënë në jetën e tij. Sipas meje, është një luftëtar i vërtetë, një nga ata lojtarë që nuk është kursyer në asnjë moment, ka pohuar presidenti.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›