E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bildt: Integrimi europian i Kosovës, problematik

Procesi integrues i Kosovës në BE paraqitet më i vështirë se i Bosnje Hercegovinës

Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Carl Bildt konsideron se integrimi europian i Kosovës paraqitet më problematik sesa integrimi i Bosnje Hercegovinës. Ai ka thënë se nuk ka përgjigje në pyetjen se kur i gjithë Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
“Kjo varet nga procesi i reformave në shtetet e caktuara. Në këtë aspekt, Kosova qartazi është më problematike sesa Bosnja. Bosnje Hercegovina, së paku ka struktura shtetërore. Kosova gjendet ende në një fazë të ndërtimit të shtetit. Edhe zhvillimi ekonomik i BeH është një hap përpara. Megjithatë, shpresoj se brenda disa vjetësh, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë në procesin e bisedimeve me Brukselin”, - citon “Zëri”, pohimet e Bildt-it për agjencinë austriake ‘APA’, me rastin e 15- vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Bildt, po ashtu, ka bërë të ditur se ndarja e Republikës Serbe nga Bosnje Hercegovina nuk vjen në konsiderim. “Në Europë, asnjë problem nuk zgjidhet me ndarjen e ndonjë shteti. Duhet të mësohemi të kemi raporte me kultura dhe me tradita gjuhësore të ndryshme brenda një shteti, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për Spanjën, Bosnjën, Belgjikën, Finlandën apo cilindo shtet tjetër”, - ka thënë ai.

I pyetur nëse kështu ka ndodhur edhe me Kosovën, Bildt ka thënë se Kosova ishte një rast i veçantë. “Në fillim të viteve ’90 patëm vendosur që republikat e ish BRSS-së dhe të ish-Jugosllavisë duhet të fitonin pavarësinë e tyre. Kosova, atëherë, praktikisht kishte qenë republikë e pavarur. Mirëpo, Millosheviç ia kishte hequr atë status special. Kosova ka pasur pozitë kushtetuese, ndërsa territoret brenda Bosnjës, jo – kështu që ishte një rast i veçantë”.

Bildt ka theksuar po ashtu se, zgjidhja për Kosovën kishte qenë e duhur, pasi sipas tij, në fund kjo kishte qenë zgjidhja e vetme. “Nuk e di nëse ekziston në jetë diçka që është e drejtë, mirëpo në fund nuk kishte mbetur zgjidhje tjetër”, - ka thënë shefi i diplomacisë suedeze.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›