E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilibashi: Skam vendosur, do të shoh objektivin e Dinamos

Mesfushori Mishel Bilibashi është ende i pavendosur për të ardhmen e tij, por nuk e përjashton mundësinë për të vazhduar me skuadrën blu

Nga Andi Matraxhiu

 

Futbollistët që mbyllën sezonin e fundit me Dinamon janë në rrjetën e shumë skuadrave të Superligës. Por, në mesin e tyre ka edhe nga ata që dëshirojnë të qëndrojnë në radhët e bluve edhe sezonin e ardhshëm, ndërkohë që realiteti është i hidhur, sepse vetë Dinamo ende e ka të paqartë të ardhmen e saj. Problemet e fundit mes presidencës blu dhe Ministrisë së Brendshme duhet të zgjidhen ligjërisht, që më pas të marrë rrugën skuadra 18 herë kampione e vendit. Pa dyshim që Dinamo në të mirë dhe në të keq, do të kërkojë ringritjen mes më të mirëve. Por gara në Kategorinë e Parë pritet të jetë shumë e fortë. Mesfushori Mishel Bilibashi, i cili u afrua në radhët e bluve gjatë merkatos dimërore të sezonit 2011-2012, e ka përfunduar kontratën e tij me blutë, por dëshiron të qëndrojë. Aktualisht ai ndodhet në Greqi për pushime dhe, me anë të rrjetit social facebook, ka dhënë një prononcim për Sportin shqiptar. Aktualisht jam duke shijuar pushimet me familjarët e mi në Greqi. Ende skam pasur kontakte direkte me ndonjë skuadër. Megjithatë, kam dy mundësi reale, që besoj se do të bëhet diçka. Ndërkohë që nuk e përjashtoj mundësin që të qëndroj te Dinamo, edhe pse më ka përfunduar kontrata. Ende nuk e di çfarë po bëhet me blutë, po dëshira ime është të qëndroj, sepse është një skuadër shumë e mirë dhe të jep mundësinë të tregosh vlerat maksimale. Jam ndjerë mirë aty, pavarësisht se ndiej keqardhje që nuk mundëm të qëndrojmë në Superligë. Ne luftuam dhe dhamë maksimumin tonë, por nuk ia arritëm qëllimit. Shpresoj që Dinamo të ringrihet në nivelet që i takojnë këtij emri të madh të futbollit shqiptar. Nuk kam shumë pretendime për skuadër të Kategorisë së Parë apo të Superligës, edhe pse më pëlqen të qëndroj sërish në ligën e më të mirëve, – citon mesfushori Mishel Bilibashi.

Ndërkohë që Dinamo mbetet sërish e paqartë për të ardhmen e saj. Nuk dihet ende nëse skuadra do të drejtohet nga presidenca dinamovite apo nga Ministria e Brendshme. Sipas palës blu, së shpejti do të ketë një seancë gjyqësore që do të hapet lidhur me pronësinë e logos së FK Dinamos. Çështja duket e nxehtë dhe vetëm organet ligjore do të ndajnë pronësinë e Dinamos. Në FSHF ka mbërritur një shkresë ku bëhet e ditur se në Drejtorinë e Përgjithshme të Markave dhe Patentave Klubi Sportiv Dinamo është regjistruar si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Por presidenca dinamovite në krahun tjetër pretendon se ka të gjitha dokumentet ligjore për të qenë pronare e ligjshme e FK Dinamos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›