E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani i ri nis me reduktimin e organikës së vjetër

Të martën stafi teknik i të kuqve do të mblidhet, ku do të përpilohet lista e futbollistëve që do të mbahen nga sezoni i shkuar në Kategorinë e Dytë

 

Nga ILIR CARA

Me sa duket ka ardhur momenti që të reduktohen pushimet për të kuqtë e kryeqytetit, pasi këtë javë është planifikuar të marrë udhë Partizani i sezonit 2012-2013. Është thënë prej kohësh se jo të gjithë futbollistët, që ishin pjesë e Partizanit, i cili u ngjit nga Kategoria e Dytë në të parën, do të mbeten pjesë e skuadrës edhe për kampionatin në vazhdim. Sezoni i ri mendohet se do të ketë kërkesa më të mëdha për të kuqtë e kryeqytetit, ku pa dyshim qëllimi kryesor është ngjitja në Superligë. Por, që të realizohet kjo gjë, kërkohet një investim i madh në radhët e demve të kuq, ku mendohen përforcime të shumta në të gjithë repartet. Para se të shkohet në këtë hap, drejtuesit do të bëjnë seleksionimin e grupit, që patën në dispozicion në Kategorinë e dytë, pastaj do të vendosen piketat në merkaton verore. Mësohet se të martën do të mblidhet stafi teknik i të kuqve të kryeqytetit, që do të përpilojë listën e futbollistëve që ata mendojnë se ia vlen të mbeten pjesë e Partizanit në Kategorinë e Parë. Pra, para se të bëhet fillimi i përgatitjeve, do të bëhet një seleksionim i lojtarëve. Nuk është përcaktuar numri i atyre që do të mbeten, por gjasat janë që të kemi një përgjysmim të organikës së vjetër. Pasi të jetë marrë një vendim unanim i stafit teknik, lojtarët që do të kenë emrin në listën e përzgjedhur do të njoftohen për fillimin e përgatitjeve të para.

Përgatitjet E enjtja është përcaktuar si dita, kur të kuqtë e kryeqytetit do të nisin përgatitjet e para për sezonin 2012-2013. Pa dyshim që këto seanca të para do të kryhen me grupin, që do të përzgjidhet nga takimi i stafit teknik dhe në ditët në vijim do të mendohet për pasurimin e grupit. Për stafin teknik është ende herët për të përmendur emrat e futbollistëve, që ata dëshirojnë, apo të atyre që kanë nisur bisedimet. Kjo e ka një arsye, pasi ende nuk është bërë publike se cila do të jetë politika që do të ndjekë Partizani i sezonit të ri. Jo vetëm tifozët, por edhe futbollistë të ndryshëm, kryesisht ish-partizanas, pyesin se çfarë bëhet nga demat, pasi dëshira është që ata të bëhen pjesë Partizanit të ri. Pra, interesi është i madh, por drejtuesit aktualë e kanë bërë të ditur prej ditësh se Partizani i sezonit në vijim e ka rritur pjacën, kështu që ka ikur koha e vullnetarizmit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›