E Shtunë, 31 Tetor 2026

Musabelliu dëshiron ti qëndrojë besnik Gramozit

Mesfushori Eraldo Musabelliu pret të kontaktojë me drejtuesit kolonjarë dhe ka shumë mundësi të qëndrojë edhe në Kategorinë e dytë

 

Nga Kristi Lilo

 

Futbollistët që luajtën për Gramozin sezonin që shkoi mbeten në pritje të asaj që do të bëhet me këtë ekip për sezonin e ri, pavarësisht se shumë e konsiderojnë veten të larguar. Për momentin nuk ka ndonjë lëvizje konkrete, sepse Gramozi luan në Kategorinë e Dytë sezonin e ri dhe koha për organizmin e tij është e mjaftueshme. Nuk është zyrtarizuar ende çështja e stolit, edhe pse gjasat janë që ekipin ta drejtojë sërish dyshja Qirjako-Hitaj. Në këtë situatë, për grupin e futbollistëve nuk mund të flitet. Ka zëra se do të jetë një Gramoz pretendent sezonin e ri, por për ta besuar këtë duhet të konkretizohen gjërat sa i takon financës, thelbësore për të arritur një sukses. Një nga titullarët e sezonit që shkoi, mesfushori Eraldo Muasbelliu, thotë se nuk ka vendosur ku do të luajë në vazhdim dhe se pret të mësojë çfarë do të bëhet me Gramozin. Si shumë shokë të ekipit, edhe unë jam në pritje të kontaktimit me drejtuesit e Gramozit, për të mësuar se cili do të jetë projekti i sezonit të ri. Dëshira ime është të jem përsëri në Ersekë, pasi nuk shikoj ndonjë arsye që të largohem. Aty më kanë pritur mirë të gjithë, – thekson Musabelliu, një nga futbollistët më të mirë të ekipit kolonjar sezonin që kaloi. Ai ishte ndër të paktët që i qëndroi besnik këtij ekipi, pavarësisht problemeve financiare, duke luajtur me grintë deri në fund. Musabelliu ka qenë jo vetëm një nga futbollistët më të dalluar, por edhe nga më të disiplinuarit, pasi nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton. Mesfushori ka treguar profesionalizëm, duke qenë i gatshëm të luajë kudo ku ka pasur nevojë ekipi. Edhe tani ai ka kurajon të thotë se mund të luajë me Gramozin edhe në Kategorinë e Dytë, por gjithçka pritet të vendoset ditët e ardhshme, kur kolonjarët të fillojnë të organizohen.

Miraka: Turbinën do ta ngrejnë vetëm cërrikasit

 

Nga Artan Paja

Futbollisti cërrikas, Endrit Miraka, mendon se çdo skuses i Turbinës do të ketë si pikënisje elementët vendës, të cilët kohët e fundit janë shtuar në numër. Sipas tij, sezoni i fundit tregoi se lojtarët cërrikas janë po aq lart në nivel loje sa edhe jabanxhinjtë, ndaj dhe nuk duhen anashkaluar nga drejtuesit e klubit. Megjithëse trajneri Belshi aktivizoi jo pak lojtarë vendës, sërish ata kishin nevojë për më tepër punë, pasi pjesa më e madhe kishin një ngërç psikologjik gjatë ndeshjeve zyrtare. ”Eshtë bërë një punë e admirueshme nga të gjithë në Cërrik për aktivizimin e lojtarëve, që vijnë nga ekipet e moshave. Këtu vlen të përmendet dyshja Sopjani-Myftaraj, që premton për të ardhmen. Mendoj se ngritja e Turbinës sezonin e ardhshëm do të vijë nga futbollistët cërrikas, të cilët do të çlirohen, kur të kenë më tepër hapësira në fushë. Natyrisht që ka vend për të falënderuar edhe lojtarët nga qytetet e tjera, por besoj se e ardhmja jonë do të jetë ”gjaku” i pastër vendës. Shpresoj shumë që të rinjtë, të cilët tashmë nuk quhen më të tillë, të kenë më shumë zell dhe dëshirë për të qenë në formacion te Turbina ose të paktën në 18-she. Kështu do të ketë tendenca të qarta që cërrikasit të mbrojnë ngjyrat e Turbinës për kampionatin e ardhshëm”, – u shpreh për Sportin shqiptar Miraka, titullar i Turbinës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›