Legalizimet, 5 grupe nisin verifikimin në terren
VLORË – Të paktën 5 grupe pune me ekspertë të Agjencisë së Legalizimit të Zonave Informale në Vlorë kanë nisur procesin e verifikimit në terren. Drejtori i ALUIZNI-t për këtë qark, Roland Tafili, tha të shtunën se puna është përqendruar kryesisht në qytetin e Vlorës, ku rezultojnë 60 për qind e ndërtimeve në shkallë qarku. Ai sqaroi se "janë 5 grupe specialistësh të ALUIZNI-t dhe të zyrës përkatëse në Bashki, të cilët punojnë paralelisht në pesë zona të ndryshme të qytetit për verifikimin e objekteve, të cilat janë vetëdeklaruar gjatë fazës përkatëse". Mes tyre, përfshihen zona e Pyllit të Sodës, ajo në afërsi të godinës së spitalit, në Fushën e Aviacionit etj., që përbëjnë edhe zonat informale. Tafili tha se procesi i verifikimit pritet të përfundojë brenda një periudhe 1-vjeçare, gjë që do të pasohet me procedurat e tjera për të pajisur të interesuarit me dokumentin e pronësisë. Aktualisht, në qytetin e Vlorës rezultojnë të jenë rreth 13 mijë ndërtime, të cilat janë përfshirë në procesin e legalizimeve. Këshilli i Qarkut ka miratuar 2 zona informale, ndërkohë që 4 të tjera janë në proces.
5 Maj 2008