Bime: Shpërblimin e FSHF-së do ta ndajë ekipi
Presidenti Flamur Bime ka takuar dje lojtarët dhe stafin, të cilëve u ka kërkuar përqendrimin e duhur për 3 ndeshjet e fundit
Stuhia gjirokastrite në Ersekë zgjati vetëm gjysmë ore, por dëmi ishte i konsiderueshëm për Gramozin. Tashmë Luftëtari po përgatit një stuhi të re për ndeshjen e nesërme me Adën. Ndërkohë, në zyrën e klubit gjirokastrit, në stadiumin Gjirokastra, kryebashkiaku i Gjirokastrës dhe njëkohësisht president i Luftëtarit, Flamur Bime, bëri dje një takim me ekipin.
Ai e filloi takimin me batutat me benjaminin e tij, Arlind Norën, kurse më pas uroi për ditëlindjen Çaçon, i cili mbushi 23 pranvera. Presidenti Bime tha se ka folur me secilin veç e veç. Ai u shpreh se kanë bërë një punë të mrekullueshme Devolli dhe Nora. Në kuadrin e humorit, duke iu drejtuar të dytit, tha se trofeuen do ta çojë i pari kapiteni Bledar Devolli.
Në vazhdim, kryebashkiaku Bime garantoi se 75 % e lojtarëve të tanishëm do të jenë në përbërje të ekipit të superligës, për të cilin do të bëhen dhe 4-5 afrime shumë cilësore. Këtë sezon duhet të shpallemi kampionë, sepse Luftëtari ka vlera si asnjë tjetër dhe për këtë duhet të kurorëzohen me sukses 3 ndeshjet e mbetura, që janë të vështira edhe për shkak të koalicioneve, që, për fat të keq, ekzistojnë.
Por ju, me profesionalizëm dhe me besim në fitore, do të manifestoni sjellje qytetare, duke pasur në krye të kësaj filozofie Devollin, ndërsa Nora duhet të realizojë sa më shumë gola për të qenë jo vetëm ekipi kampion, por edhe golashënuesi më i mirë. Do tju duhet qetësi me gjyqtarët, respekt për kundërshtarët dhe realizim i detyrave të trajnerit Dede.
Me korrektësi do të fitojmë edhe në Kukës. Që nesër do të fillojmë likuidimin financiar të kontratave dhe po ju them se shpërblimin e fedarëtës për titullin kampion do ta ndani midis jush, sipas asaj që do të propozojë trajneri juaj, Nevil Dede, u ka thënë presidenti Flamur Bime në takimin e djeshëm.
Raboshta Sulmuesi shkodran i Luftëtarit, Jasmin Raboshta, i cili ka realizuar 11 gola, për ndeshjen me Adën thotë: Ne do të luftojmë për 3 pikë edhe në ndeshjen me Adën, pa u interesuar fare se çfarë bëjnë të tjerët. Ia bëjmë hallall golat e shumta ndonjë ekipi, por do të luftojmë për titullin kampion të kategorisë së parë, duke pasur përqendrimin e duhur në tri ndeshjet e mbetura.
Nuk e diskutojmë titullin kampion, sepse kemi udhëhequr me meritë pothuajse gjithë kampionatin. Vetëm Luftëtari e meriton këtë titull me aq sa ka bërë, ndaj do ta fitojë për të kënaqur sportadashësit e tij dhe ne veten tonë për djersën që kemi derdhur nga ndeshja në ndeshje.
