Partizani e pret Delvinën në stadiumin e Kamzës
Disiplina dje i ka kthyer Naftëtarit 6 pikët e hequra para një jave dhe kuçovarët janë 1 pikë larg të kuqve, që nuk duhet të gabojnë në tri ndeshjet e mbetura
Prej muajsh, streha e Partizanit për ndeshjet brenda ka qenë stadiumi Selman Stërmasi, ku me gjithë biletën 300-lekëshe, që për të kuqtë konsiderohet e lartë, tifozeria ka qenë e shumtë.
Të dielën Partizani pret Delvinën, por mësohet se ky takim i radhës nuk do të luhet në Selman Stërmasi, por do të zhvendoset në stadiumin e Kamzës. Shkak për këtë transferim është bërë Tirana, që të dielën ka programuar të presë Shkumbinin në stadiumin Selman Stërmasi.
Drejtuesit e stadiumit u kanë thënë të kuqve që ta zhvendosin ndeshjen për të hënën, por stafi i Partizanit ka preferuar të luajë të dielën, që të ketë edhe mbështejen e tifozëve, meqë është ditë pushimi. Pas bisedimeve me drejtuesit kamzalinj, është rënë dakord që ndeshja Partizani-Delvina të luhet të dielën, në orën 16:00, në stadiumin e Kamzës.
Pritet që në këtë takim për tifozët e kuq të ketë bileta më të lira se ato që u serviren kur luajnë në Selman Stëramsi, pasi thuhet se çmimi i biletës do të jetë 200 lekë. Nëse një javë më parë Partizani ndodhej totalisht i sigurt për tu kthyer në kategorinë e parë, dje situata ka ndryshuar dhe ndaj kryeqytetasve po rritet presioni.
Komisioni i Disiplinës dje ka vendosur që ti kthejë Naftëtarit 6 pikët e hequra para një jave, kështu që kuçovarët rimarrin vendin e dytë në Grupin B dhe janë një pikë prapa demave të kuq. Të gjendur para kësaj situate, Partizani është i detyruar që në tri ndeshjet e mbetura të marrë maksimumin, për të mos e pasur vëmendjen se çfarë bën Naftëtari.
Të dielën pritet vetëm fitorja nga kryeqytetasit, gjë e cila duhet bërë edhe në transfertën e Cërrikut dhe në fund me Këlcyrën. Për momentin stafi teknik e ka të plotë grupin dhe të gjithë shpresojnë dhe besojnë se në fund Partizani do ta arrijë objektivin.
