E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana e do pozitën e tretë

Lazio e ka lëshuar një mundësi ideale për ta përforcuar pozitën e tretë të mërkurën. Biancocelesti pësuan humbje nga Novara e Samir Ujkanit, e cila praktikisht ka rënë nga liga.

Kjo disfatë ia vështirësoi punët ekipit të Edy Rejës në luftë për pozitën e tretë, e cila çon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Lorik Cana ka luajtur titullar ndaj Novarës, duke u munduar ta japë kontributin e tij, por që humbja e ekipit të tij me rezultat 2:1 ishte e paevitueshme.

“Provuam ta fitonim lojën, nuk ishte e lehtë dhe këtë e dinim para lojës. Neve na mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, por e kishim mundësinë të fitonim. Pas barazimit kishim 2-3 raste dhe në pjesën e dytë edhe 3-4 tjera. Nëse nuk e mbyll takimin, në futboll gjithmonë ekziston mundësia që kundërshtari të të dënojë. Provuam, por nuk ia dolëm”, deklaroi përfaqësuesi shqiptar pas ndeshjes.

“Në dy ndeshjet e fundit mund t’i merrnim gjashtë pikë të rëndësishme dhe nuk ia dolëm. Mirëpo, kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u luajtur për ne, për tifozët dhe për klubin me objektivin që ta rrëmbejmë pozitën e tretë. Tash duhet të bëjmë luftë për ta marrë vendin e tretë”, përfundoi Cana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›