E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja shpreson ende për vendin e dytë

Nga Julian Kasapi

Duke parë kalendarin e Kukësit rival dhe faktin që e presin në shtëpi javën e fundit, verdhejeshilët kërkojnë ta sigurojnë direkt superligën

Kampionati ka ardhur në fazën e tij finale, që është mjaft interesante, qoftë për kreun e tabelës, qoftë për fundin e saj. Lushnjarëve u duhet të luajnë të vetëm për të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në superligë. Jo vetëm që u duhet të fitojnë tri sfidat e mbetura, por duhet të shpresojnë edhe në ndonjë hap fals të Kukësit rival.

Historiku i këtij kampionati ka treguar se skuadra veriore nuk ka gabuar dhe nuk është ndalur në asnjë takim, por tri javët e fundit janë vendimtare për të, sepse, përveçse do të vijë në Roza Haxhiu javën e fundit, do të shkojë në Lezhë të shtunën dhe më pas do të presë Luftëtarin kryesues. Ndoshta deri javën e fundit gjërat do të jenë në rrjedhën e tyre normale, ku verdhejeshilët pretendojnë në një kalim të drejtpërdrejtë në superligë, pasi play-out-in e kanë të garantuar.

Gramozi Skuadra e drejtuar nga trajneri Malko po stërvitet normalisht për sfidën e radhës me Gramozin, ku do të mungojnë spektatorët, pas ndëshkimit për hedhje të sendeve të forta në fushë nga tifozët lushnjarë në ndeshjen me Besën në transfertë. Për analogji, ndoshta edhe për kapriçio të fatit, edhe ndeshja e fazës së parë, mes të ftohtit dhe shiut në Ersekë, kur ende nuk kishte zënë dëbora, është zhvilluar pa tifozë.

Verdhejeshilët arritën të triumfojnë në atë transfertë me një gol të Mikel Cankës. Edhe nesër shkallët e stadiumit Roza Haxhiu do të jenë të boshatisura dhe tifozët e Lushnjës do të qëndrojnë pas hekurave për të parë fitoren e skuadrës së tyre.

Gjendja Trajneri Malko nuk do të ketë shërbimet e Dhimës në mbrojtje, pas kartonit të kuq që mori në Gramsh. Të gjithë futbollistët e tjerë do të jenë të gatshëm për të. Seancat stërvitore në këto javë të fundit të sezonit nuk kanë ngarkesa të larta, por mbajtjen në formë të muskulaturës së çdo futbollisti.

Kanë mbetur edhe tri ndeshje për të mësuar verdiktet e kampionatit dhe lushnjarët shpresojnë që me seriozitet dhe me punën e bërë, të jenë ndër skuadrat që do të marrin një vend në superligë sezonin tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›