Bin Hammam, i vetmi kundër-kandidat i Blatterit
Mohamed bin Hammam është konfirmuar si sfiduesi i vetëm i Sepp Blatterit në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s më 1 qershor. Presidenti i Konfederatës së Futbollit të Azisë njoftoi në mars se do të qëndrojë kundër Blatterit për postin e kreut të Federatës Botërore të Futbollit.
Gazetari amerikan Grant Wahl, i cili në shkurt njoftoi se synon të paraqesë kandidaturën e tij si “kandidat i popullit”, nuk e dërgoi aplikacionin e tij më tutje. Blatter ka qenë president i FIFA-s nga 1998, ndërsa së fundmi është zotuar se nëse rizgjidhet për mandatin e tij të katërt, do të tërhiqet nga detyra në përmbyllje të tij më 2015. Presidenti i ri do të zgjidhet në Kongresin e FIFA-s, që fillon më 31 maj.
FIFA kishte caktuar afat kohor deri më 1 prill që të gjithë kandidatët të nominohen dhe fituesit do t’i nevojiten dy të tretat e shumicës së votave nga raundi i parë ose shumica në të dytin. Bin Hammam është sfiduesi i parë i Blatterit, prej kur Issa Hayatou ishte kundërkandidat i tij dhe u mund më 2002.