KOK’u në aksion

Udhëheqësit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) po zhvillojnë takime të njëpasnjëshme në Angli, ku po qëndrojnë në kuadër të panairit ndërkombëtar të SportAccordit, i cili mbahet në Londër prej 3 deri më 8 prill.
Delegacioni i Kosovës përfaqësohet nga Besim Hasani, president i KOK-ut, dhe Malsor Gjonbalaj, këshilltar politik për sport i ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi.
Në ditën e parë, Hasani dhe Gjonbalaj patën takime të rëndësishme dhe besohet edhe të frytshme me liderë të ndryshëm të organizatave sportive ndërkombëtare. Nga to veçohet takimi me nënkryetarin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Mario Pescante.
Në një takim të shkurtër, Pescante premtoi përkrahjen e aspiratave të sportistëve të Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’ dhe pranoi ta vizitojë Kosovën në një periudhë kur një gjë të tillë e mundëson agjenda e tij.
Një takim tjetër me rëndësi i palës kosovare ishte ai me anëtarin e KON-it, Ser Craige Reedie, i cili e përcjell me vëmendje progresin e arritur në përmbushjen e dy kritereve për pranim të KOK-ut në KON.
Gjithashtu Hasani dhe Gjonbalaj patën takime rasti edhe me Hasan Mustafanë, president i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, si dhe me sekretarin e Federatës Botërore të Shigjetarisë, Tom Dielen.
Po ashtu, delegacioni kosovar pati takime edhe me Gunila Lindberg, sekretare e Komitetit Olimpik të Suedisë, pastaj me sekretarin e FIBA-s, Patrick Bauman, i cili premtoi se do të takohet me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Fatmir Gashi, në muajin maj.
Kryetari Hasani zhvilloi një takim edhe me presidentin e Federatës Botërore të Karatesë, Espinoza. Në panairin ndërkombëtar të SportAcordit po marrin pjesë rreth 1500 liderë të sportit ndërkombëtar.