E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë çerekfinalet

Real Madridi pret Tottenhamin në ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve. Të dyja skuadrat vuajnë nga mungesat e shumta të futbollistëve, megjithatë favorizohet skuadra e Jose Mourinhos. Në përballjen tjetër, Inter është nikoqir i Schalke 04 me synim të eliminojë një tjetër ekip gjerman, pas Bayern Munichut në rrethin e kaluar. Nga Express më 05 prill 2011 në ora 10:23

Çerekfinalja e Ligës së Kampionëve fillon të martën me dy takime, kur Real Madrid pret Tottenhamin në Santiago Bernabeu, ndërsa kampioni në fuqi, Inter përballet me Schalke 04 me synim të eliminojë një tjetër skuadër gjermane, pas Bayern Munichut në rrethin e kaluar.

Trajneri i Realit, Jose Mourinho, të shtunën humbi rekordin prej nëntë viteve pa humbur në shtëpi në ligë, kur skuadra e tij u mposht 1-0 nga Sporting Gijon.

Pas disfatës ai theksoi se mund të ‘injorojë doktorët’ duke rrezikuar me aktivizimin e ndonjërit mes Cristiano Ronaldos, Karim Benzemas dhe Marcelos, që munguan të shtunën.

Lajm i mirë është rikthimi i sulmuesit Gonzalo Higuain, pas pesë muajve mungese për shkak të lëndimit në shpinë, por u duk jashtë forme pas inkuadrimit si rezervist kundër Gijonit.

“Kundër Tottenhamit do të shohim se kë do ta kemi në fushë. Me siguri se do të paraqitemi me mungesa, por duhet të japim maksimumin dhe të kemi kujdes nga Tottenham që eliminoi Milanin”, tha Mourinho.

Edhe Tottenham ka krizë të lëndimeve. Ledley King, Jonathan Woodgate dhe Younes Kaboul mungojnë, ndërsa menaxheri Harry Redknapp ka dyshime rreth William Gallasit dhe nuk mund të llogaritë as në Alan Hutton, i cili tashmë ka përfunduar sezonin.

Michael Dawson dhe Sebastian Bassong janë dy qendërmbrojtësit e vetëm në dispozicion, ndërsa pavarësisht mungesës së Steven Pienaar në mesfushë, Redknapp pret që Gareth Bale të jetë në gjendje të luajë.

Në takimin tjetër, Inter pret Schalken me synim të rikthehet nga humbja 3-0 në derbin e qytetit nga Milan të shtunën, që i dha një goditje të fuqishme shpresave të tyre për të mbrojtur titullin në Serie A.

“Nuk duhet të nënçmojmë Schalken, Raul është një simbol i ekipit dhe mbetet gjithmonë futbollist i rrezikshëm”, tha trajneri i Interit, Leonardo.

Schalke, që mposhti Interin në finalen e Kupës UEFA 1997, do të bëjë paraqitjen e parë në garë nën drejtimin e trajnerit të ri, Ralf Rangnick. Inter është përkrahur nga rikthimi i Diego Militos, i cili u inkuadrua edhe kundër Milanit pas një mungese të gjatë, pasi sulmuesi tjetër Giampaolo Pazzini nuk ka të drejtë paraqitjeje për Nerazzurrëve në Ligën e Kampionëve, ndërsa qendërmbrojtësi Lucio është i suspenduar.

Për dallim nga Inter, që lufton për titull në Serie A, Schalke gjendet në mesin e tabelës në Bundesligë. Në Giuseppe Meazza, trajneri Rangnick do të jetë pa mesfushorin Peer Kluge dhe sulmuesin Mario Gavranovic, të lënduar. Qendërmbrojtësi Christoph Metzelfer ka thyer hundën, por pritet të luajë me maskë mbrojtëse.

Ndeshjet çerekfinale:

Inter-Schalke20:45
Real Madrid-Tottenham20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›