Blatter me të vjetrën

Presidenti i FIFA’s, Sepp Blatter, sërish ka folur për Kosovën. Numri një i futbollit botëror kësaj radhe ka folur më gjatë për çështjen e futbollit kosovar në një intervistë dhënë ueb faqes www.albinfo.ch .
Blatter edhe njëherë ka përsëritur se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk mund të jetë pjesë FIFA’s, përderisa Kosova mos të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
“Njohja e Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe jo vetëm ajo e ekipit kombëtar, lidhet me njohjen e shtetit të Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga OKB-ja. Tani për tani, sipas informatave tona, vetëm 75 vende e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Blatter.
Sipas Sepp Blatter, njohja e mundshme e FFK’së nga FIFA nuk ka asgjë të bëjë me bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë filluar muajin e kaluar.
Numri një i FIFA’s ka folur edhe për lojtarët e Kosovës, sikur Valon Behrami e Xherdan Shaqiri, të cilët luajnë për ekipin kombëtar zviceran.
“Lojtarët me origjinë kosovare, siç janë Behrami e Shaqiri, janë lojtarë të shkëlqyeshëm që kanë zgjedhur nacionalitetin zviceran, gjë që pasuron futbollin tonë kombëtar dhe ndërkombëtar. FIFA mbron të drejtën e lojtarëve kosovarë sa i përket të drejtës së tyre për transferim ndërkombëtar”, ka theksuar ai.
Drejtuesit e futbollit kosovar që një kohë të gjatë po vazhdojnë përpjekjet e tyre për anëtarësim në FIFA e UEFA, por pa sukses. Krejt çka është arritur deri më tani është njohja e kartonëve të futbollistëve kosovarë.