Bin Laden: Vendet arabe të moderuara në komplot me Izraelin
Kreu i organizatës terroriste Al Kaeda Osama Bin Laden është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes me anë të një mesazhi audio të transmetuar në rrjetin televiziv panarab Al Xhazira. Në fjalimin e tij Bin Laden ka akuzuar vendet arabe të moderuar se kanë organizuar një komplot së bashku me Izraelin. Ai ka kujtuar atë që e quajti "Holokaustin e Gazës" dhe iu ka kërkuar besimtarëve islamikë që të mbështesin muxhahedinët që të hapin kufijtë dhe të lirojnë gjithë Palestinën. "Është e qartë se disa drejtues arabë kanë qënë bashkëpunëtorë në aleancën e kryqëzatës dhe zioniste kundër popullit tonë. Ata janë disa drejtues që Amerika i cilëson si të moderuar", shprehet Bin Laden në regjistrimin e tij, por pa cituar liderët të cilëve iu referohet. Lideri i Al Kaedës flet edhe për atë që e përcakton "Holokaustin e Gazës". Sipas tij, ky është një fakt historik i rëndësishëm dhe shumë i dhimbshëm. Osama Bin Laden iu kërkon besimtarëve që të mbështesin muxhahedinët në Irak derisa ata të çlirojnë tokën e Mesopotamisë. "Në këtë mënyrë përmbushen dy misione: mundja e aleancës zioniste dhe në vazhdim të hidhemi nga Iraku drejt Jordanisë. Domethënë, në një fazë të re, do të hidhemi drejt rajonit të Çisjordanisë dhe do të hapim kufijtë me forcë, që të çlirojmë të gjithë Palestinën", vazhdon kryeterroristi i Al Kaedës. Bin Laden shton se është e nevojshme të përgatitet një listë hipokritësh me ata që shtyjnë të tjerët drejt tradhëtisë.