E Shtunë, 31 Tetor 2026

ORA:Qeveria pa strategji për korrupsionin

Partia Reformiste kosovare ORA ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të hartojë urgjentisht një projekt-strategji për luftimin e korrupsionit gjithëpërfshirës dhe për këtë të bashkëpunojë ngushtë me shoqërinë civile dhe me të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë që mund të japin kontributin e tyre në këtë fushë. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, mungesa e vullnetit politik për luftën kundër korrupsionit me seriozitetin maksimal do të kthehet në formën e efekteve negative nga aspekti i mosrealizimit të investimeve të huaja në ekonominë e brishtë kosovare. Kjo sipas tyre do të shprehet aq më tepër në kohën kur kriza globale financiare tashmë ka kapluar tërë botën e zhvilluar dhe kriteret e përzgjedhjes së vendeve ku do të investohet do të ashpërsohen edhe më tepër. Partia Ora gjithashtu ka kërkuar nga qeveria, që kjo e fundit të përgatisë një grup ekspertësh sa më parë që është e mundur në realizimin e projekteve dhe tërheqjen sa më të shpejtë të donacioneve pothuajse të harruara. Sipas Ora-s, ky grup i ekspertëve, duhet që të krijojë ekspertë të rinj nëpër komuna ku duhet të merren parasysh projektet dhe të dërgohen në vendet të cilat i kanë garantuar donacionet dhe realizimin e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›