Dhuna në familje, dy gra marrin mbrojtje nga Gjykata
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet vendosi dje të pranoi kërkesën e nënës se dy fëmijëve me inicialet Gj.D. që t'i sigurohet jeta asaj dhe fëmijëve nga dhuna sistematike e bashkëshortit të saj po me inicialet Gj.D. me banim në periferi të kryeqytetit. Sipas vendimit të togave të zeza, të firmosur nga gjyqtarja Blerina Muça, jeta e bashkëshortes dhe dy fëmijëve të saj është në rrezik nga dhuna e bashkëshortit dhe urgjentisht ndaj saj të krijohen kushtet e mbrojtjes për një afat një mujor. Ndërkaq, bashkëshorti i saj, që ishte prezent në sallën e gjyqit kundërshtoi pretendimet e gruas, duke u shprehur se "gruaja ime ka një dashnor për të cilin kërkon të më ndaj mua nga fëmijët. Dashnori i saj gjatë kohës që ishim bashkë i dërgonte mesazhe në celular që unë jam përpjekur t'i lexoj por ajo është ankuar tek dashnori i cili më pas më ka kërcënuar me anë të sms-ve dhe thirrjeve telefonike",-tha i padituri, i cili paraqiti si prova para gjykatës sms-n e dërguar nga një person që i kërkonte të mos i lexoj sms-t e gruas së tij. Edhe pas këtyre pretendimeve të bashkëshortit Gjykata e Shkallës së Parë lëshoi urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes së paditëses dhe dy fëmijëve të saj. Sipas vendimit të gjykatës që "Shekulli" ka siguruar një kopje, togat e zeza "urdhërojnë të paditurin që mos të kryej vepra dhune, të mos kërcënoj, të mos cenoj, ngacmoj, të kontaktoi apo të komunikoj drejtpërdrejt apo tërthorazi me gruan e tij dhe fëmijët. Të lejoj paditësen dhe fëmijët e saj të banojnë të qetë në banesën bashkëshortore në periferi të kryeqytetit dhe të mos i afrohet banesës apo punës së bashkëshortes së tij dhe shkollës së fëmijëve pa lejen e gjykatës"-thuhet ndër të tjera në vendim, ku urdhërohet zbatimi i këtij vendimi deri më datën 19 shtator të këtij viti dhe për zbatueshmërin e këtij vendimi ngarkohet Komisariati i Policisë Nr. 5 dhe Zyra e Shërbimeve Sociale pranë Njesisë Bashkiake Nr. 5 në kryeqytet. Gjithashtu, po gjatë ditës së djeshme togat e zeza të kësaj gjykate, konkretisht gjyqtarja Fiqirete Mullaj shqyrtoi kërkesën e bashkëshortes me iniciale V.V. e cila kërkoi ndihmë dhe mbrojtje nga dhuna e vazhdueshme e burrit të saj po me inicialet V.V. Sipas vendimit të mbrojtjes nënvizohet se në të shumtën e rasteve shkaku i dhunës mes çiftit ka qenë humbja e shumave të ndryshme parash nga burri në baste sportive që nuk i ka duruar dot qortimet e gruas. "Urdhërohet i padituri të mos kërcënoj, cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë me paditësen deri në shtator të këtij viti, ku me datë 4 shtator do të zhvillohet seanca e dëgjimit për zbatimin e urdhrit të gjykatës për mbrojtje"-thuhet në diapozitivin e vendimit. Ku sipas arsyetimit shkelja e këtij urdhri të mbrojtjes përbën vepër penale dhe do të përgjigjet penalisht për thyerje të tij. Mësohet se pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dy muajt e fundit janë shqyrtuar dhe lëshuar mbi 40 urdhra mbrojtje nga gjykata kundër burrave të dhunshëm. Sipas burimeve zyrtare pranë togave të zeza, pohohet se komisariatet e policisë së kryeqytetit, adresojnë përditë qytetarë të shumtë për në gjykatë, të cilët ankohen për probleme të dhunës në familje. Menjëherë pasi marrin denoncimet e qytetarëve të dhunuar nga familjarët, inspektorët e Policisë së Rendit dhe ata të sektorit të dhunës në familje i adresojnë për në gjykatë, duke i pajisur me një kopje të denoncimit. Pas kësaj togat e zeza janë të detyruar sipas ligjit, që të dalin me një vendim brenda dy ditësh nga momenti i regjistrimit të kërkesës, ndërsa më pas gjyqtarët duhet të ndjekin dhe informohen për ecurinë e vendimit të firmosur prej tyre.