E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, largohen Koreshi e Dhima



Vazhdojnë çuditë në kampin e Lushnjës. Fakti që biznesmeni Ali Dyrmishi ka hyrë sërish në lojë tek ekipi i Tomorit, ka bërë që shumë futbollistë të verdhjeshilëve të kërkojnë largimin nga ekipi edhe pse janë nën kontratë me këtë ekip. Vetëm dje nga skuadra janë larguar dy futbollistë, që janë nën kontratë me lushnjarët. Madje, njëri prej tyre ka firmosur vetëm një ditë më parë me drejtuesit e klubit, por kjo nuk përbën ndonjë problem, pasi përpara financave çdo gjë përballohet. Bëhet fjalë për Enik Dhimën, që ka një kontratë 2- vjeçare me ekipin e Lushnjës dhe mbrojtësin Hekuran Korreshi, që vetëm një ditë më parë ka hedhur firmën për klubin verdhejeshil. Destinacioni i futbollistëve do të jetë Tomori. Të kontaktuar nga “Panorama Sport” lojtarët japin motivacionin e tyre për këtë “firo” të papritur. Mesa duket kushtet financiare i kanë bindur mbrojtësit që të udhëtojnë drejt Beratit. “E kemi lënë fanellën e Lushnjës, pasi kushtet ekonomike të Tomorit janë shumë të mira. Ne me këtë ushqehemi, ndaj jemi të detyruar që të ikim”. Nëse do të vazhdojnë të largohen edhe të tjerë, Lushnja e ka të domosdoshme të hyjë në merkato, sidomos në repartin e mbrojtjes, që tashmë duket shumë i zbuluar. Nga ekipi janë larguar mbrojtësit Alcani, Prela, Dhima, Mërtiri si dhe gardiani Spaho. Në ekip, tashmë kanë mbetur mbrojtësit Sula, Sulo, Bufasi e afrimi i fundit Elmazi, por për të pasur siguri në mbrojtje, duhen edhe disa afrime, çka mund të japë siguri në kampin verdhejeshil.
Stërvitja - Edhe pse nga lëvizjet e fundit në ekip, stafi teknik ka qenë shumë i preokupuar në stërvitje, për të vijuar punën me futbollistët e mbetur në ekip. Edhe dje ata kanë vijuar me dy seanca në ditë e ngarkesat kanë qenë shumë të larta e do të vijnë duke u rritur akoma në ditët e ardhshme. Ndërkohë, që është mësuar se ekipi i Lushnjës ditën e diel do të organizojë një ndeshje miqësore me Gramozin, ndeshje e cila do të luhet në Pogradec. Kjo do të jetë dhe e para miqësore për lushnjarët në këtë fazë përgatitore. Drejtuesit do të shohin në këtë përballje pikat e dobëta pas largimeve të shumta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›