E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bindet Berisha: Gati të firmos me Arminian

 

Jetmir Halilaj

Besart Berisha, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është gati të firmosë për skuadrin e Arminia Bielefeldit. Sulmuesi kuqezi ka deklaruar dje për mediat gjermane se është pranë nënshkrimit me klubin ku më parë kanë luajtur Vata, Skela e Duro. Ai ka pohuar se këto ditë ka qenë në provë dhe se i ka kaluar testet. “Arminia është një skuadër fantastike dhe gjatë kësaj kohe unë jam ndjerë mirë këtu – ka deklaruar sulmuesi shqiptar për ‘Bild’ -  Kam biseduar me drejtuesit dhe ata pohuan se janë shumë të kënaqur me mua. Tani pritet që të arrihet akordi mes dy klubeve. Ka shumë mundësi që transferimi im të kryet në formë huazimi, por kjo ende nuk është vendosur”. Futbollisti ka vërtetuar edhe njëherë se nuk ka asnjë shans që sezonin e ardhshëm të luajë me klubin e Bërnleit në Premier Ligë.
Kastrati
Sulmuesi Bekim Kastrati gjatë ditëve të ardhshme pritet të zyrtarizohet si përforcim i ri i skuadrës gjermane, Dinamo Dresden. Sipas gazetës “Bild”, detaji i vetëm i papërcaktuar në kontratë është paga e tij. Ajo po negociohet. Në Dresden janë të kënaqur me atë që ka treguar sulmuesi. Në turneun e mbajtur në fundjavë mes tri skuadrave: Dinamo Dresden, Shafhauzen e Radolfzell, kosovari ka shënuar dy gola, ndërsa fitues është shpallur ekipi i tij. Golin e parë Kastrati e shënoi në fitoren e thellë 8-0 kundër Radolfzellit, kurse të dytin në triumfin kundër Shafhauzenit 4-2. Sulmuesi 30-vjeç ka disa ditë që po testohet te Dresdeni.  “Bekimi ka përmbushur të gjitha parashikimet tona. Ne llogarisim në  të për edicionin e ri”, ka thënë trajneri i Dinamos, Rud Kaizer. Dresdeni garon në Ligën e Tretë të Gjermanisë. Vetë futbollisti ka thënë se po ndihet mirë në këtë mes. Ai thotë se i duhet edhe pak kohë për të kthyer formën. “Me mua gjithçka është në rregull dhe gjatë kësaj kohe te Dinamo jam ndier shumë mirë. Më mungon vetëm shpejtësia”, tha Kastrati.
Nëse arrin marrëveshje me Dinamon, atëherë ai do të transferohet si futbollist i lirë, pasi kontrata me Fortuna Dyseldorfin i ka skaduar para pak ditësh. 30-vjeçari gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për ekipet Eintraht Braunshveig, Borusia Mënshengladbah dhe ka një paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›