Ofertë 2.5 mln euro për Superioren
Klubet shqiptare të Kategorisë Superiore mund të fitojnë një shumë prej 2.5 milionë eurosh nga shitja e të drejtës TV për katër vitet e ardhshme. Ofertën e ka bërë kompania televizive “UFA Group”, pjesë e rrjetit gjerman të njohur, “RTL Group”. Në mbledhjen e djeshme mes përfaqësuesve të klubeve dhe zyrtarëve të FSHF-së është diskutuar gjatë në lidhje me këtë çështje.
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë rolin e ndërmjetëses, mes kompanisë gjermane që ishte e interesuar për të blerë të drejtën TV dhe klubeve. Në takimin e djeshëm që u zhvillua në hotel “Rogner”, kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të kompanisë “UFA”. Këta kanë paraqitur si ofertë fillestare shumën prej 300 mijë euro në sezon, për të blerë të drejtën TV të të gjitha ndeshjeve të skuadrave të Superiores. Burime të gazetës, të pranishëm dje në mbledhje kanë pohuar se kjo ishte vetëm oferta fillestare, pasi zyrtarët e kompanisë “UFA”, kanë lënë të hapur mundësinë për ta blerë për katër vjet të drejtën TV të Superiores, për një shumë totale, prej 2.5 milionë euro.