E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, KQZ rrëzon kërkesën e PS

 

BLEDAR HOTI

Ankesa e PS-së për rivlerësimin e votave të qarkut të Beratit shkakton debate të forta ndërmjet anëtarëve dhe përfaqësuesve të partive politike. Përplasja më e madhe ka qenë ajo ndërmjet përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti dhe nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, në të cilën ka përfunduar me largimin e kësaj të fundit nga mbledhja, për shkak të asaj që ajo e cilësoi si presione dhe kërcënime të demokratit në sallë. Partia Socialiste, Partia G99 dhe Partia Republikane kishin pretendimet e tyre në lidhje me pavlefshmërinë e votave në qarkun e Beratit për KZAZ-të 1, 2 dhe 3. Në total, sipas KQZ-së, në katër KZAZ-të janë 2841 fletë të pavlefshme, ku mbi 2000 u përkasin zonave që kontestojnë partitë politike. Gjatë shqyrtimit të ankimit, kryekomisioneri Ristani deklaroi se PR-ja kishte tërhequr kërkesën e saj, duke lënë në fuqi vetëm të PS-së dhe të G99. PS-ja duke pretenduar se për marrjen e mandatit të pestë nevojiteshin mbi 530 vota, kërkonte që të llogariteshin votat e pavlefshme, si dhe të rinumëroheshin kutitë e votimit nga e para në të tre KZAZ-të. Pas paraqitjes së pretendimeve nga pala e PS-së dhe G99-ës, ka ndërhyrë nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila së bashku me anëtarin Artan Lazaj kanë bërë të ditur se në bazë të nenit 138, pika 3, kërkonin rivlerësimin e votave. “Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara”, tha Subashi në leximin e nenit. Ky qëndrim ka mjaftuar që të ndezë debatet ndërmjet partive dhe palëve. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, ka bërë të ditur se kërkesa e Subashit është në kundërshtim me betimin e bërë në nenin 13 të Kodit Zgjedhor. “Ndodhur në këto kushte, kur procesi sapo ka filluar, nxitimi i një anëtare të KQZ-së, i zonjës Subashi, për të marrë dhe shpëtuar nga sikleti që kanë në paraqitjen e pretendimeve të tyre, pala ankuese më duket krejtësisht pa vend dhe i jashtëligjshëm. Në detyrimet ligjore të një anëtari të KQZ-së, zoti kryetar, janë dy nene shumë të rëndësishme dhe unë po jua kujtoj zonjës Subashi e kushdo tjetër që do të guxojë të veprojë në kundërshtim me ligjin. Sipas nenit 13, pika katër, jeni betuar të tregoni profesionalizëm në këtë tavolinë”, tha Kosovrasti. Ky qëndrim solli menjëherë reagimin e nënkryetares, e cila kërkoi që kryekomisioneri Ristani të ndërhynte, pasi po kërcënohej nga ana e përfaqësuesit të PD-së dhe për të ndërprerë mbledhjen. Por Ristani ka deklaruar se Kosovrasti po i mbahej ligjit dhe se mund të vazhdonte të fliste. Kjo ka shkaktuar reagimet e përfaqësuesve të PS-së, të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e mbledhjes për shkak të këtyre sulmeve. “Ju duhet ta ndërprisni mbledhjen, s’mund të bëhen kërcënime të tilla dhe ne kemi pasur pretendime ndaj anëtarëve të PD-së në KQZ se si kanë votuar, por nuk i kemi sulmuar në një mënyrë të tillë”, theksoi Gjonçaj i PS-së. Ndërsa Kosovrasti, duke këmbëngulur se po fliste sipas ligjit iu drejtua Subashit, “sërish se nënkryetarja mund ta dëgjojë jashtë duke pirë një cigare”. Por nënkryetarja iu drejtua se “nuk mund të bëjë kërcënime e presione dhe u largua mbledhja”. I gjithë debati më pas është zhvilluar në të drejtën e dy anëtarëve të KQZ-së për të rinumëruar fletët e votimit. Përfaqësuesit e PD-së, Kosovrasti e Bylykbashi thanë se procesi i Beratit ka qenë një ndër më të shkëlqyerit dhe se PS-ja e bën këtë hap për të zhvlerësuar imazhin e zgje-dhjeve. “Propozoj që kërkesa e socialistëve të rrëzohet si e pabazuar në prova dhe në ligj. Nuk mund të bësh kërkesa të tilla për të numëruar kutitë e votimit në të gjitha qarqet, duke mos u pabazuar në ligj”, tha Ristani. Kërkesat e PS-së dhe të G99-ës u rrëzuan me katër vota të anëtarëve të djathtë, Ristani, Zguri, Shtjefni e Osmanaj dhe kundër të Varfit dhe të Lazajt.

rezultati i beratit

Berati 297 QV nga 298 që janë gjithsej

Numri i zgjedhësve që kanë votuar    84,445
Fletë votimi të papërdorura         87,991
Fletë votimi të dëmtuara            297
Fletë votimi të gjetura në kuti        84,433
Vota të vlefshme                 84,433
Vota të pavlefshme             2,841

“Aleanca e Ndryshimit”             
27.058 vota              3 deputetë
 
“Bashkimi për Ndryshim”
44.564 vota            4 deputetë

“Aleanca Socialiste për Integrim”
9.259 vota            1 deputet

debatet ne KQZ

Njazi Kosovrasti: Ndodhur në këto kushte, kur procesi sapo ka filluar, nxitimi i një anëtare të KQZ-së, i zonjës Subashi, për të marrë dhe shpëtuar nga sikleti që kanë në paraqitjen e pretendimeve të tyre, pala ankuese më duket krejtësisht pa vend dhe i jashtëligjshëm. Në detyrimet ligjore të një anëtari të KQZ-së, zoti kryetar, janë dy nene shumë të rëndësishme dhe unë po ia kujtoj zonjës Subashi e kushdo tjetër që do të guxojë të veprojë në kundërshtim me ligjin. Sipas nenit 13, pika katër, jeni betuar të tregoni profesionalizëm në këtë tavolinë. Sipas nenit 17, pika dy i Kodit ligji detyron...
Dëshira Subashi: Zoti kryetar, ju lutem ndërhyni që të mos të më bëjë kërcënime, ju lutem.
Njazi Kosovrasti: Ligji ju detyron që të mos më ndërpritni.
Dëshira Subashi: Ju lutem zoti kryetar, mos e lejoni, të mos më bëjë kryetar, ju lutem ndërpriteni mbledhjen, është hera e dytë që përfaqësuesi i PD-së që më kërcënon në detyrën time.
Njazi Kosovrasti: Mos më ndërprit zonja Subashi, është e dyta herë që bëni, nuk mund të veproni në kundërshtim me ligjin.
Dëshira Subashi: Të lutem, zoti kryetar ka detyrimin e vetëm të respektojë...
Arben Ristani: Nuk ka asnjë kërcënim, është duke iu referuar nenit të ligjit.
Dëshira Subashi: Ai ka detyrimin e vetëm t’i përmbahet objektit të shqyrtimit të ankimit, s’ka të drejtë të më thotë mua që jam ose nuk jam në kundërshtim me ligjin.
Njazi Kosovrasti: Po, do ta them, dhe do ta them sa herë të konstatoj që ju jeni në kundërshtim me ligjin.
Dëshira Subashi: Nëse do ta merrni fjalën, do të jeni ju në kundërshtim me ligjin e me detyrën që ka komisioni, e nëse doni të vazhdoni kjo është përgjegjësi e juaja zoti kryetar.
Genc Gjonçaj: Ti flasësh një anëtari në këtë formë mos e lejoni një gjë të tillë, që të sulmohet nënkryetarja e KQZ-së, të lutem mos e lejo, ai mund të flasë për problematikën dhe jo të merret me anëtarin..
Arben Ristani: Mbylle mikrofonin, mos fol pa leje dhe do ta marrësh fjalën kur të marrësh leje. Mbyll mikrofonin, fjalën e ka Kosovrasti. Mos fol pa leje.
Njazi Kosovrasti: Faleminderit zoti kryetar, unë jam në ushtrim të detyrës time ...
Dëshira Subashi ngrihet në këmbë: S’keni të drejtë ju të bëni presione dhe kërcënime ndaj nesh (largohet nga mbledhja).
Njazi Kosovrasti: Po qe se zonja Subashi nuk ka qejf të dëgjojë fjalët e mia këtu, unë e kuptoj shqetësimin e saj, mund të dalë jashtë të më dëgjojë duke pirë edhe një cigare.
Genc Gjonçaj: Zoti kryetar, ndaloje, ndërpriteni fjalën, të mos lejohet të bëhen presione.
Arben Ristani: Nuk marr fjalën tuaj për të marrë fjalën. Mbylle mikrofonin, mos fol pa leje. Zoti Kosovrasti vazhdoni.
Artan Lazaj: Zoti kryetar. S’mund të bësh prokurorin këtu, betimin e kemi bërë në Parlament dhe e dimë, ne po zbatojmë ligjin. Nuk është në rregull kjo, s’mund të flasë ashtu.
Arben Ristani: Është në rregull, ai mund të flasë.
Genc Gjonçaj: S’mund të bëjë ai këtu politikën.
Njazi Kosovrasti: Nuk flas unë me qëndrime partiake, as bëj politikë, se e shfrytëzoj në vende të tjera, ka tribuna të tjera.
Genc Gjonçaj: Jo, s’mund të mbyll gojën unë, më hap mikrofonin.
Arben Ristani: Nuk e hap mikrofonin, ju lutem mund të vazhdojmë mbledhjen.
Njazi Kosovrasti: Anëtarët e KQZ-së kanë bërë një betim, anëtarët e KQZ-së dhe ju e keni bërë këtë që të flisni me profesionalizëm.
Artan Lazaj: Kujdes, zoti Kosovrasti. Nuk është prokuror i seancës ai tashti. Ai po flet kundër ligjit, zoti kryetar, unë atë betim e kam bërë dhe mbaj përgjegjësi për punën tonë.
Arben Ristani: Rri i qetë, se është duke folur në baza të ligjit, rri i qetë.
Artan Lazaj: Unë jam i qetë, unë jam shumë i qetë, s’mund të provokojë kështu ai.
Arben Ristani: Rri i qetë, çfarëdo që të bësh nuk e prish dot seancën. Çfarëdo që të bëni nuk e prishni dot seancën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›