E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 37-vjeçarit, tentoi të vriste gruan dhe vjehrrin

Policia e Kavajës ka arrestuar Fatmir Shehaj për tentativë vrasjeje të trefishtë

KAVAJË- Prag tragjedie e trefishtë në Kavajë, aq sa mund të na sillte në kujtesë ngjarjen e Alliasit të pak javëve më parë. Buriem policore thanë se dje u arrestua Fatmir Shehaj, 37 vjeç, pasi dy ditë më parë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri për shkaqe qe nuk dihen ende, bashkëshorten e tij Luiza Shehaj, 32 vjeçe, vjehrrin e tij Sulejman Shehi 64 vjeç, si dhe Shkëlqim Karulin 40 vjeç. Këtij të fundit në tentativë për ti marrë automjetin tip Ford, me targa të huaja me qëllim largimin nge vendi i ngjarjes.
Ngjarja
Të njëjtat burime saktësuan se ngjarja ndodhi pas një sherri mes çiftit Shehaj. Pas fjalëve të ndërsjella, 37-vjeçari ka marrë një armë dhe ka tentuar të qëllojë mbi gruan dhe vjehrrin e tij. Sipas policisë dyshohet se Shehaj ka përdorur 40-vjeçarin Karuli për t’u larguar nga vendi i ngjarjes duke e kërcënuar atë me armë dhe duke i ka hequr padrejtësisht lirinë, me qëllim që t’i merrte me forcë automjetin e tij tip “Ford”, me targa të huaja. Nga shërbimet e hetimit të krimit pranë këtij komisariati, u kryen menjëherë veprimet procedurale, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma model - 54 si dhe një automatik Kallashnikov me dy krehra. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Fatmir Shehaj, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim, mbetur në tentativë”, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”, “Prishjes së qetësisë publike” dhe të “Heqjes së pa ligjshme të lirisë”.
Rastet
Një rast flagrant është ai i disa kohëve më parë ndodhur në qytetin e Pogradecit, kur nëna e dy fëmijëve i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes nga dhuna e bashkëshortit të saj, i cili e ka plagosur rëndë. Dhuna në familje kishte mbretëruar prej një kohe të gjatë në çiftin pogradecar. Burri i dhunshëm ka plagosur rëndë të shoqen duke përdorur mjete rrethanore në shtëpi, kurse tmerri që kanë përjetuar të vegjlit si dhe gjaku i gruas e kanë detyruar këta të fundit të kërkojnë ndihmën e policisë. Reagimi i shpejtë i policisë së shtetit duke transportuar për në spital shtetasen Kismete Billa, 27-vjeçare duke i dhënë ndihmën e shpejtë, por dhe duke e marrë në mbrojtje, ndërsa autori i ngjarjes Mirosh Mruku është prangosur menjëherë. Një tjetër rast tipik lidhet me Pukën kur një 64 vjeçar tentoi të vriste gruan në mes të fshatit. Pjeter Çuku 64 vjeç ka alarmuar të gjithë fshatin ndërsa ka keqtrajtuar përmes dhunës fizike, duke e kanosur dhe me armë, në tentativë për të vrarë shtetasen Liza Përbiba, me të cilën ky i fundit bashkëjetonte.

Policia identifikon autorin e grabitjes së postës në Qytetin Studenti

TIRANË - Policia identifikon grabitësin e 18 mijë lekëve të reja në filialin e 13-të të Postës Shqiptare, e cila ndodhet në Qytetin Studenti. Ngjarja ndodhi në orën 15:00 të pasdites së të shtunës, ku një person edhe pse pa armë dhe i maskuar vetëm me një kapele, mundi t’i marrë me forcë lekët e arkës së postës. Policia mori në pyetje punonjësen e filialit të postës, e cila kreu edhe përshkrimin e tipareve të autorit dhe theksit e dialektit që kishte përdorur në të folur. Burimet policore nuk kanë bërë të ditur identitetin e autorit për arsye hetimi, por kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një adoleshent përdorues droge. Thuajse në të njëjtën zonë, në afërsi të Bankës Amerikane një javë më parë u grabit një pikë bastesh sporteve, ku dy persona mundën t’i merrnin 10 mijë lekët e reja të xhiros punonjësit të lokalit. Sipas policisë, të dyja ngjarjet dyshohet se kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe kryhen nga i njëjti grup grabitësish.

Lazarat, operacion kundër hashashit

Gjirokastër - 15 kamionçina të ngarkuara me pleh, si dhe 5 autobote me cisterna metalike për transport uji janë bllokuar gjatë ditëve të fundit nga forcat e rendit në Gjirokastër. Policia ka nisur një aksion kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Kamionçinat dhe autobotet, sipas informacioneve të marra paraprakisht, kishin si destinacion fshatin Lazarat dhe do të shërbenin për të ujitur dhe plehëruar parcelat e mbjella me hashash. Gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti vetëm në fshatin Lazarat janë kapur e më pas asgjësuar rreth 4 tonë lëndë narkotike të llojit Cannabis sattiva.

Vidhet nga persona të paidentifikuar Kisha e Shën Gjergjit

Korçë - Paraditen e djeshme është vjedhur kisha e Shën Gjergjit në fshatin Shipskë në Korçë. Persona të paidentifikuar kanë vjedhur kryqin e gdhendur në shekullin e XVII dhe bashkë me të janë vjedhur edhe ikonat. Grabitësit janë kujdesur që të marrin sendet të cilat kane vlerë për vjetërsinë e tyre shumë të madhe. Policia, që mbërriti menjëherë pas konstatimit dhe denoncimit të vjedhjes në vendngjarje dhe vërejti se vjedhja ishte bërë nga dritaret e kësaj kishe, shumë e njohur në krahinë për festimin e ditës së Shën Gjergjit, emër të cilin mban edhe kjo kishë.

Dhunohen për herë të dytë varret antike të Apolonisë, reagojnë arkeologët

FIER - Një ngjarje e rëndë u shënua në zonën antike të Apolonisë ku persona të panjohur kanë dhunuar natën e dy ditëve më parë varret antike me moshë 2000-vjeçare që quhen ndryshe edhe si varret e Faraonëve. Burime nga policia e Fierit, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje bënë të ditur se persona të panjohur kanë dhunuar varret e vjetra në përpjekje për të grabitur prej tyre relike të shtrenjta ose eshtra faraonësh apo mbretërish dhe për t’i shitur. Policia ka nisur hetimet për rastin. Edhe arkeologët që tashmë ndodhen në vendngjarje konstatojnë se në Nekropolin e qytetit Antik të Apolonisë janë identifikuar disa gërmime klandestine. Arkeologu Arjan Dimo shpjegoi se “qëllimi kryesor i këtyre gërmimeve kanë synimin që këta persona të përfitojnë objekte të ndryshme për ti shitur dhe për të fituar lekë nga këto objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë pasuria e gjithë kombit”. Por, sipas arkeologëve varret e Apolonisë janë varre të thjeshta dhe nuk përmbajnë elemente të tillë. Ky është i dyti rast i dhunimit të varreve të Apolonisë. Një tjetër rast i ngjashëm u shënua një vit më parë.

Makina përplas për vdekje 21-vjeçarin, po ecte me biçikletë

Gjirokastër- Një i ri ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Gjirokastër – Kakavijë. Një automjet tip Nissan me targa greke, me drejtues Gramoz Dervishi, 32 vjeç, i cili udhëtonte nga Athina në drejtim të Elbasanit, ka përplasur 21-vjeçarin Tauland Topalli, i cili po udhëtonte me biçikletë nga fshati Vrisera për në fshatin Bodrishtë. Si pasojë e kësaj përplasjeje, Topalli është plagosur rëndë dhe është transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Gjirokastrës ku pak orë pas ngjarjes ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra. Nga burime policore mësohet se shkaku i këtij aksidenti ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesi i automjetit. Policia ka arrestuar dhe drejtuesin e mjetit për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen.

Automjeti përfundon në kanal, plagosen rëndë katër persona

Berat – Katër persona të plagosur është bilanci i një aksidenti që ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Ura Vajgurore-Poshnje në Berat. Aksident automobilistik ndodhi teksa Bujar Xhaxhaj, ka humbur kontrollin e automjetit tip Bens me targa BR 0457 B, që ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal me thellësi rreth 5 metra. Kalimtarët e rastit njoftuan menjëherë forcat e policisë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes. Policia ka mundur të nxjerrë personat e bllokuar në automjet duke i transportuar ata me urgjencë në spitalin e Beratit. Burime nga policia thanë se në automjet ndodheshin katër persona të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spital. Sipas mjekëve drejtuesi i mjetit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa pasagjerët e kanë kaluar rrezikun.

Aksident me motor në Maminas-Manëz, shoqërohet drejtuesi i makinës

Durrës – Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrance Fatbardh Osmanin, lindur dhe banues në Maminas pasi duke drejtuar automjetin e tij tip Golf veturë me targë DR 9100 D është përplasur me motoçikletën me targë TR 091 B, e cila drejtohej nga 18-vjeçari Fabjan B., banues në Tiranë. Nga ky aksident janë aksidentuar 18-vjeçari i përmendur, i cili drejtonte motorin dhe
bashkëmoshatari i tij M. J., që udhëtonte me të. Sipas informacioneve, të rinjtë nga Tirana ishin drejtuar për në plazhin e gjirit të Lalzit, ndërsa janë përplasur ballazi me autoveturën që ishte drejtuar për në Maminas. Të rinjtë Bodinaku dhe Jashari ndodhen aktualisht në spitalin rajonal të Durrësit në gjendje kritike për jetën.

Jetonte në skamje të skajshme, vetëvaret babai i gjashtë fëmijëve

Durrës – Një 62-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij për shkak të kushteve të rëndë ekonomike. Ngjarja ndodhi dje në Shkozet të Durrësit kur Mefail Tarku 62-vjeç, pensionist, babai i 6 fëmijëve është vetëvarur në dhomën e gjumit në banesën e tij. Ai u gjet u varur në litar nga bashkëshortja e tij, e cila dha menjëherë alarmin. Ka qenë e kotë ndërhyrja për i dhënë ndihmën e parë mjekësore 62-vjeçarit pasi ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes mbërritën oficerët e policisë për të bërë këqyrjen e provave si dhe për të zbuluar motivet e këtij vetëflijimi. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se Tarku kishte shfaqur shenja depresioni për shkak të kushteve të rënda ekonomike në të cilën ndodhej familja e tij gjë e cila dyshohet se e ka shtyrë atë drejt aktit fatal. Megjithatë të njëjtat burime shtuan se po punohet për të zbardhur me saktësi shkakun e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

Prençi takon kreun e Antikrimit Britanik, diskutohet bashkëpunimi kundër krimit të organizuar

TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi priti në një takim z. Bill Hughes, Drejtor i SOCA, Agjencia Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas Prençit, Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin me Agjencinë SOCA, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore, duke dhënë kontribute në fushën e trajnimeve të oficerëve të policisë shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që i është nënshtruar Policia e Shtetit në dy vitet e fundit. Ndërkohë, që nga ana e tij Drejtori i SOCA-s,. Bill Hughes garantoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për asistencë të vazhdueshme. si dhe përkrahje jo vetëm në trajnimin e oficerëve shqiptare, por edhe në fusha të tjera për të luftuar së bashku kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, terrorizmit.

14 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›