E Diel, 1 Nëntor 2026

Bino Alarmi Tirana gjelberim 2.8 m/banor kur norma eshte mbi 7 m/banor

“Rama deklaroi dje se në sajë të tarifës së gjelbërimit, ka mbjellë 55 mijë pemë, ndërkohë që Parku i Liqenit Artificial ka gjithë-gjithë 30 mijë pemë.

Pra, sipas z.Rama duhet të kishim edhe një tjetër park të Liqenit! Ku është ky park?”.

Ky ka qenë reagimi i zv/ministrit të Mjedisit, Taulant Bino, lidhur me deklaratat e kryebashkiakut Rama për hapësirat e gjelbra.

“Ai vazhdon të na gënjejë edhe sot. Tirana jonë ka vetëm 2.8 m2/frymë ndërkohë që sipas rregullores së Urbanistikes, norma minimale e gjelbërimit është 7 m²/banor.

Sot Tirana ka 35% më pak se në vitin 2005 dhe 58% më pak se premtimi për vitin 2008”, tha Bino.

Duke shtuar se hapësirat e gjelbra janë reduktuar, ndërkohë që taksa e gjelbërimit vetëm në dy vitet e fundit është rritur 250-300%.

Të ardhurat e Bashkisë nga taksa e gjelbërimit në 4 vitet e fundit shkojnë në rreth 17 milionë dollarë, nga këto 6.4 milionë dollarë vetëm në 2010, 5.7 milionë në 2009, 3.5 milionë në 2008 dhe 2 milionë në 2007.

“Ku janë përdorur 17 milionë dollarët? Sigurisht jo në gjelbërim, por patjetër që janë përdorur në mitingje elektorale.

Sot, sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, përpjesëtimi mes betonit dhe hapësirës së gjelbër është në nivele alarmante, 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës.

Sot, Bashkia e Edi Ramës i ka dhënë çdo fëmije të Tiranës vetëm 1.5 cm katrore hapësirë rekreative, ndërkohë që ata kanë nevojë për 1.5 metra katrorë hapësirë.

Kjo situatë duhet të ndryshojë. Ne nuk kemi nevojë për një kryebashkiak që synimin e vetëm të tij ka betejën politike kombëtare, neve na duhet një kryebashkiak për qytetin!”, përfundoi ai.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›