E Diel, 1 Nëntor 2026

Ançeloti: Aguero na intereson, Çelsi synon të fitojë gjithçka

Pas fitores minimale në supersfidën e Premierligës përballë Mançester Junajtid, Çelsi kryeson kampionatin me pesë pikë më shumë se skuadra e Sër Aleks Ferguson. Karlo Ançeloti po shijon momentin e mirë të ekipit që drejton dhe fillim e jashtëzakonshëm të aventurës në "Stemford Brixh". Trajneri italian përcakton edhe objektivat e bluve, duke konfirmuar se londinezët do të luftojnë për të fituar gjithçka në këtë sezon. "Kampionati anglez dhe ai italian nuk kanë shumë diferencë në aspektin teknik. Ndryshimi më i madh lidhet me atmosferën që krijohet në stadiume", deklaroi Ançeloti, që më pas foli për fitoren me Junajtid: "Kemi diçka më shumë sesa Mançesteri. Synojmë që të shkojmë deri në fund, në të gjitha aktivitetet ku marrim pjesë. E prisja që fillimi i sezonit të ishte i mirë, sepse skuadra nuk ka ndryshuar dhe kemi një grup mjaft të fortë lojtarësh". Rreth merkatos, Ançeloti shtoi: "Aguero na intereson, pasi është normale që të gjitha skuadrat të ndjekin talentet e rinj. Pato? Mendoj se është mirë në Milano. Në janar nuk pres të bëjmë blerje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›