Biografia, shkarkohet drejtori i Legalizimeve, fshehu punën para 1992

Ferdinand Shehu, ish-drejtori i ALUIZNI, Tiranë
Memia: Shehu pa integritet moral, ka punuar në hetuesi
Rasti unik i shkarkimit, kishte 6 vjet që punonte tek ALUIZNI
Është ndoshta rasti i parë në Shqipëri që një drejtor i administratës pushohet nga puna për shkak të fshehjes së të kaluarës së tij të para vitit 1992. Dje, kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka firmosur urdhrin për shkarkimin nga puna të drejtorit të ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu. Në argumentimin që i bëri këtij vendimi përfaqësuesja e ALUIZNI-t, Shpresa Muha, u cilësua se shkak për shkarkimin e Shehut është bërë mungesa e integritetit moral.
Motivacioni
Fshehja e të kaluarës e para vitit 1992 ka mjaftuar për kreun e ALUIZNI-t, Shaban Memia, që të bëjë shkarkimin e Shehut. Referuar dokumenteve, nga ana e ALUIZNI-t bëhen me dije dy detaje të jetëshkrimit të ish-zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, të cilat nuk figuronin të shkuara në CV. Përmes manipulimeve në jetëshkrim, duke lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës (Urdhri nr.8, datë 22.8.1988 i Hetuesisë së Përgjithshme). Pa përfshirë këtu periudhën njëvjeçare të kryerjes se kursit, pranë Hetuesisë së Përgjithshme, gjithashtu e fshirë nga jetëshkrimi. Mungon në këtë jetëshkrim dhe detyra si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik (shkresa nr. 272, datë 13.04.1992) në profilin e kriminalistikës, thuhet në deklaratën e ALUIZNI-t. Ndërkohë, Memia nga ana e tij përmes shkarkimit të Shehut ka theksuar se jo gjithmonë zgjedhjet që bëjnë institucionet për emërimet në pozicione të larta janë të sakta, por në një farë mënyre keqardhjen për këtë ai e ka shprehur me reagimin për shkarkimin e drejtorit të Tiranës. Në funksion të vlerësimit që ndaj mbi parimet morale të drejtësisë, ndershmërisë e sinqeritetit, si dhe ndjeshmërisë ndaj një pjese të madhe të opinionit publik, interesat e të cilit janë të lidhura me procesin e legalizimit, vendosa për shkaqet e mësipërme, lirimin e menjëhershëm nga detyra të z. Ferdinand Shehu, si drejtori i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës, shprehet Memia. Është ndoshta rasti i parë që një drejtor shkarkohet nga detyra për shkak të fshehjes së të kaluarës së tij në kohën e komunizmit. Qeveria në fakt është përpjekur që këtë praktikë ta zbatojë përmes miratimit të një ligji, i njohur si ligji i lustracionit, por që deri tani nuk është mundur të bëhet asgjë, pasi Gjykata Kushtetuese e ka kthyer këtë ligj. Shkarkimi i Shehut ngjan si një rast i parë i zbatimit të praktikës, që ende nuk ka marrë miratim.
Emërimi
Në qershor të vitit 2006, Ferdinand Shehu u emërua zëvendësdrejtor i Përgjithshëm pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit te Zonave/Ndërtimeve Informale. Deri në vitin 2010, ai mbajti këtë post, nga i cili do të shkarkohej për tu emëruar në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t për Tiranën. Dje, kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, mori vendimin e shkarkimit të Shehut me motivacionin e mungesës së integritetit moral.
Shehu: Shkarkimi im nuk ka motivacion
Ish-zëvendësdrejtori i ALUIZNI-t për 5 vjet dhe drejtor i drejtorisë së Tiranës prej gati një viti, Ferdinand Shehu ka marrë dje urdhrin e lirimit nga posti që mbante. I kontaktuar nga gazeta, Shehu shpjegon se nuk është njohur me motivacionin e shkarkimit dhe se, për lirimin nga pozicioni që mbante, është informuar nga mediat. Duke mos dashur që të komentonte pa u njohur me motivet e vërteta të shkarkimit dhe me dokumentacionin që është shpërndarë nga ALUIZNI rreth tij, ai nuk ka pranuar që të shpjegojë ato që janë lakuar si fakte. Realisht, nuk jam njohur ende me motivacionin e shkarkimit tim dhe e kam dëgjuar këtë nga mediat. Nuk di asgjë rreth dokumenteve që janë shpërndarë dhe pa u njohur me to është herët të komentoj. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, që unë do të ndjek rrugën dhe procedurat që më lejon ligji për të drejtën time, tha Shehu.gazeta ka arritur të sigurojë edhe shkresën e shkarkimit të Drejtorit të Tiranës, ku nuk përmendet asnjë nga dokumentat e paraqitura për mediat nga drejtoria e ALUIZNI. Në shkresë ka vetëm dy pika ku theksohet lirimi nga detyra dhe detyrat që lindin për drejtritë e tjera të ALUIZNI.
NERTILA MAHO