E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vejusha e zezë” shfaqet në Fier, sulmon dy persona

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Merimanga e zezë sulmon në Fier. Dy pacientë u paraqitën në spital ditën e djeshme, pasi ishin zënë befasisht prej insektit që të shkakton vdekjen. Neglizhenca i rrezikoi jetën një 16-vjeçareje, e cila kërkoi ndihmën e mjekëve 13 orë me vonesë. Burime të spitali pohojnë se adoleshentja M. Goga është nga qyteza e Roskovecit, ndërsa rasti tjetër i përket 44-vjeçarit nga fshati Belishovë i Mallakastrës, Marin Plaku. Të dy të prekurit nga fenomeni “vejusha e zezë” kanë rrezikuar seriozisht jetën. Mësohet se 44-vjeçari ka qenë duke punuar tokën në largësi të shtëpisë kur ka ndier pickimin. Sipas familjarëve të tij, Plaku kishte ndier një pickim therës në pjesën e parakrahut teksa ishte duke punuar rreth orës 10.00 të paradites. Sapo e ka pikasur këtë ndjesi, Marini ka kontrolluar aty përreth duke menduar se e kafshoi gjarpri, por e vetmja gjë që kishte parë kishte qenë një merimangë helmuese. I trembur nga ky fakt fermeri i është drejtuar me urgjencë spitalit, ku është marrë në patronazh nga mjekët. Fatmirësisht, aktualisht ai është jashtë rreziku për jetën. Por me vdekjen duket se ka luftuar vajza 16-vjeçare nga Roskoveci, e cila kishte më shumë se 13 orë që ishte pickuar nga merimanga dhe e kishte neglizhuar këtë problem. Sipas të afërmve vajza e re është pickuar gjatë kohës që pastronte lulet në oborrin e shtëpisë. Ishin familjarët e saj ata që i shihnin dorën e djathtë tek ënjtej pranë zonës së pickimit nga çasti në çast, duke i alarmuar të gjithë. Të afërmit kanë treguar se vetëm pasi panë këto shenja kishin pyetur vajzën se çfarë kishte pësuar. “Vajza kishte të vjella dhe djersë të ftohta dhe në fillim ne menduam se ishte ndonjë helmim nga ushqimet. Por kur i pamë edhe dorën që po ndryshonte formën, u trembëm. Pastaj vajza na tregoi se ku e kishte ndier pickimin. E sollëm në spital, sepse e kuptuam që bëhej fjalë për pickim nga merimanga”, ka deklaruar Nazmi Goga, xhaxhai i vajzës. Pas interesimit të mjekëve vajza  ka filluar të marrë veten, por gjithsesi vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Mjeku toksikolog Kilo Stoja ka deklaruar se të dy pacientët megjithë problemet janë jashtë rrezikut për jetën. Ai thekson se askush nuk duhet të neglizhojë këto raste, sidomos ata që punojnë në ara dhe vreshta, pasi helmi është vdekjeprurës. Sipas Stojës, në rastin e 16-vjeçares, shpëtimi i saj, falë ndërhyrjes së mjekëve ka qenë mrekulli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›