“Mallkimi” i penalltive, ja çfarë ka frikë Anglia
KIEV - Penalltitë janë ato që trembin më shumë anglezët në prag të sfidës me Italinë, në program të dielën në mbrëmje. I gjithë ky ankth lind nga historia, pasi gjatë fazës finale të një Botërori apo Europiani, në gjashtë ndeshje që kanë shkuar me penallti, anglezët kanë humbur pesë herë në 22 vitet e fundit. Statistika të frikshme, të cilave iu druhet edhe tifozi më optimist i këtij ekipi. Tek Anglia, pesë futbollistët e caktuar për të gjuajtur 11-metërshat janë Uejn Runi, Stiven Xherard, Eshli Kol, Xhejms Milner dhe Eshli Jang, ndërsa trajneri i Italisë Çezare Prandeli ka përzgjedhur Andrea Pirlon, Mario Balotelin, Antonio Kasanon, Daniele De Rosin dhe Tiago Motën. Megjithatë, duhet parë se kush do të jetë në fushë për 120 minuta. “Mallkimi” anglez lind që nga Botërori i vitit 1990 në Itali, kur kombëtarja e “Tre Luanëve” u eliminua nga Gjermania në gjysmëfinale, pas një ndeshjeje që për hir të së vërtetës e pati dominuar. Në Europianin e vitit 1996, të luajtur në shtëpi, u duk se gjithçka po shkonte si mos më mirë, pasi Anglia fitoi me Spanjën në çerekfinale. Por, ishte vetëm një iluzion, pasi në gjysmëfinale erdhi një tjetër “dush i ftohtë” dhe sërish nga Gjermania, e drejtuar atëherë nga Berti Vogts. Dy vjet më pas, në Botërorin e luajtur në Francë, të tetat e finales kundër Argjentinës përfunduan 2-2, pas 120 minutave. Nga penalltitë ishin amerikano-jugorët ata që u kualifikuan. Në Europianin e vitit 2004 ishin portugezët ata që eliminuan ekipin britanik në çerekfinale, por mallkimi nuk mbaroi këtu. Në Botërorin e vitit 2006, në ndeshjen çerekfinale, ishte sërish Portugalia ajo që kaloi për më tej dhe sërish nga penalltitë, ku anglezët arritën të realizonin vetëm një, me anë të Ouen Hargrivs. Hoxhson, për të eliminuar fantazmat, është duke e stërvitur skuadrën prej një jave për të gjuajtur saktë nga pika e bardhë, i vetëdijshëm se italianët do të synojnë ta çojnë ndeshjen drejt shtesës. Veç pesëshes së mësipërme, pritet që mes gjuajtësve të 11-metërshave të jetë edhe portieri Xho Hart, thuajse perfekt në goditjet e tij. “Do të ishte më mirë ta mbyllnim ndeshjen përpara, por nëse shkojmë te penalltitë, ne jemi gati, - sfidon portieri i Italisë Bufon. – Do të shoh një video për goditjet e tyre, për të patur një ide të qartë”, shton ai.
(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)
(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)