"Birra Korça", si u derdh lumë në Festivalin e Birrës
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
"Birra Korça" u derdh lumë në Festivalin e Birrës. Mijëra gota u rrëkëllyen në këtë festë 4-ditore, e cila shënoi suksesin për organizatorët dhe pjesëmarrësit. Ilir Toçi, drejtor i Marketingut të "Birra Korça" tregon çelësin e suksesit të kësaj pije tradicionale, jo vetëm në Korçë, por në mbarë vendin.
Festa shënoi sukses edhe më të madh se vitet e mëparshme. Sipas jush cilët faktorë ndikuan në këtë sukses?
Festa e Birrës 2009 në Korçë mund të thuhet me plot gojën se ishte më e suksesshme se vitet paraardhëse. Ndër faktorët më kryesorë që ndikuan janë: përkushtimi i madh i stafit të Bashkisë së Korçës në organizimin e festës, dëshira e madhe dhe lajtmotivi i popullit korçar për të mos u lodhur duke festuar, tradita e Festës së Birrës që po hedh rrënjë të thella dhe po tërheq shumë e më shumë njerëz nga mbarë Shqipëria dhe diaspora, motivimi dhe mbështetja e paparë e familjeve korçare, që na dhanë ne pjesëmarrësve në këtë festë, kultura e bashkëpunimit për të arritur sukses, që sa vjen e rritet në Festën e Birrës, ndërmjet bizneseve pjesëmarrës, organizatorëve dhe konsumatorëve festëdashës.
Cili ishte roli i marketingut për të rritur imazhin e Festës së Birrës?
Megjithë afatin e shkurtër kohor, strategjia e marketingut e realizoi objektivin për ta bërë këtë festë të mirënjohur në mbarë Shqipërinë dhe më larg. Ndër më pozitivet dëshiroj të përmend: promocioni viziv i programit të festës sipas një mediaplani të goditur; billbordet dhe citylights me mesazhet e spikatura festive dhe tërheqëse si për vendasit, vizitorët dhe të gjithë grupmoshat; promocioni direkt duke filluar me fletëpalosjet, ekipi i vajzave me uniformën simbolike të festës, bluzat me mesazhet ftuese për festë, programi festiv i mirëkoordinuar, mbështetur nga një skenë dhe foni moderne.
Sa është sasia e "Birra Korça" së tregtuar në këto 4 ditë feste? A pati birrë falas?
Nga e enjtja deri të dielën u konsumuan 185 hektolitra birrë, ose rreth 63 mijë gota, si bionde dhe të zezë, të shërbyera në 21 aparate birre që ishin të shpërndara në festë. Nga këto 5 hektolitra ose 1600 gota u dhanë falas për të promovuar shijen e birrës te vizitorë të shumtë dhe falënderuar fansat e "Birra Korça".
Ashtu si vitin e kaluar për të shërbyer në festë kishte një ekip shitjeje dhe promocioni. Si e përzgjodhët këtë ekip?
Fillimisht më lejoni të përgëzoj dhe falënderoj të gjithë vajzat dhe djemtë e promocionit të "Birra Korça". Shërbimi i kulturuar, puna në grup, dashuria e madhe për "Birra Korça", respekti për njëri-tjetrin si dhe për konsumatorin ishin shumë impresionuese. Mund t'ju tregoj se çdo pjesëtar i këtij ekipi ka shërbyer mesatarisht 800 gota gjatë 3-4 orëve, çdo ditë. Përzgjedhja e ekipit këtë vit ishte "e vështirë" për shkak të shumë kërkesave nga Korça e Tirana.
"Birra Korça" u quajt Mbretëresha e festës. Ç’do t'i shtonit këtij epiteti?
Ky është vlerësimi më i lartë që vjen nga konsumatori ynë. Unë nuk mund t'i shtoj asgjë më shumë këtij epiteti, vetëm se të gjithë të kujdesemi që ajo ta mbajë kurorën sa më gjatë. Për këtë arsye, ne shtuam numrin e spinave nga 18 në 21 këtë vit, si dhe 4 frigoriferë me shishet e birrës 0.33 lt, për t'iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve të shumtë, vendas, të ardhur, emigrantë, vizitorë të huaj, simpatizantë dhe fansa të "Birra Korça". Për vitin tjetër ne synojmë më shumë: më shumë spina dhe frigoriferë, më shumë hapësirë për konsumatorët tanë të nderuar në mbarë Shqipërinë dhe përtej kufijve.