EULEX-i pranon marrëveshjen me Serbinë, kundërshton Prishtina zyrtare
Pas paralajmërimeve për një marrëveshje mes EULEX-it dhe Serbisë, vetë misioni i BE-së e ka pohuar këtë lajm duke sqaruar se marrëveshja me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka për synim shkëmbimin e informacioneve në nivelin policor. Nëpërmjet një deklarate me shkrim, EULEX-i ka sqaruar se të gjitha informacionet që do të shkëmbehen, do të ndahen edhe me Policinë e Kosovës. “Krimi i organizuar, kontrabandimi, kalimet e paligjshme kufitare, trafikimi i qenieve njerëzore janë çështje rajonale, që nuk kufizohen me kufijtë e ndonjë shteti dhe për t’i trajtuar me sukses, dëshmitë duhet të ndahen dhe këmbehen. Kjo është ajo që ne synojmë. Të gjitha informacionet do t’i ndajmë edhe me Policinë e Kosovës”. Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga Qeveria e Kosovës, e cila vlerëson se misioni i EULEX-it shërben për të përkrahur insitucionet dhe jo për t’i zëvendësuar ato. Zyrtarët e qeverisë deklarojnë se EULEX-i nuk ka mandat për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se institucionet e Kosovës nuk janë informuar lidhur me nënshkrimin e saj. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha se EULEX-i nuk ka mandat për nënshkrimin e asnjë marrëveshjeje me shtetet e tjera, përfshirë edhe Serbinë. Ndërsa këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Fisnik Rexhepi thotë se EULEX-i është mision teknik në fushën e sundimit të ligjit dhe ndodhet në Kosovë me ftesë të institucioneve vendore për të dhënë kontribut në fushën e sundimit të ligjit përmes këshillimit dhe monitorimit. Por zyrtarët serbë mbrojnë vendimin e misionit të BE-së për bashkëpunim dhe shprehen se protokolli do të bazohet në Rezolutën 12 44 si dhe në raportin e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ministri serb i punëve të brendshme Ivica Daçiç deklaroi se tashmë është gati plani i protokollit për bashkëpunimin operativ të ministrisë që ai udhëheq dhe EULEX-it.
“Një bashkëpunim i tillë është i domosdoshëm edhe atëherë kur bëhet fjalë për grupet që kalojnë herë në njërën e herë në anën tjetër të vijës administrative kur bëhet fjalë për terrorizëm, tregti ilegale të narkotikëve, armëve dhe kontrabandës së mallrave”,- tha Daçiç për gazetarët.
Zgjedhjet serbe në Kosovë, pjesëmarrje e vogël e votuesve
Serbë të pushtetit paralel lokal në Kosovë kanë bërë të ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme komunale të Serbisë, të mbajtura në Kosovë ka qenë e dobët. Goran Arsiç, përfaqësues i të ashtuquajturit qark i Kosovës, ka thënë për mediat serbe, se nga rezultatet e parakohshme, shihet se numri i votuesve ka qenë i ulët. Të dielën, serbët e Gorazhdecit të Komunës së Pejës dhe ata të Graçanicës në Prishtinë, kanë votuar për zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Serbisë, për shkak të parregullsive në këto vendvotime gjatë zgjedhjeve të kaluara. Institucionet e Kosovës i kanë konsideruar këto zgjedhje jolegjitime, ndërsa rezultatet e tyre të pavlefshme dhe pa fuqi politike.
Maqedoni, PDSH-ja bojkoton Parlamentin
Partia Demokratike Shqiptare braktisi dje zyrtarisht Parlamentin e Maqedonisë si shkak i pakënaqësisë ndaj këtij institucioni. Sipas deputetëve të partisë shqiptare, ky është instrument demokratik i cili do t’i shërbejë pozitivisht objektivave të vendosura nga kjo parti. Shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu deklaroi nga se deputetët nuk do të marrin pjesë në punimet e Parlamentit. “Ky institucion është vënë në funksion të partisë më të madhe në pushtet. Mënyra e vetme për të ndërhyrë është instrumenti demokratik i bojkotit”,- ka theksuar Aliu. Sipas tij, Parlamenti sjell ligje që lënë pas dore dinjitetin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe që janë të padobishme për bashkësinë shqiptare.
18 Gusht 2009