E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti i Gjirokastrës, shtimi i turistëve po lind nevojën e një “porte ajrore”



Ervin KOÇI

Rigjallërimi i turizmit në dy vitet e fundit në qytetin muze të Gjirokastrës, si dhe investimet e shumta që janë bërë në të si nga UNESCO ashtu dhe nga vet banorët, kanë bërë që të lindë nevoja edhe për riaktivizimin e aeroportit të dikurshëm. Banorët e mbarë zonës dhe autoritet e pushtetit lokal e shikojnë riaktivizimin e këtij aeroporti të vjetër si një mundësi më tepër të të zhvilluar ekonominë e zonës dhe për të rritur numrin e turistëve. Bashkia e Gjirokastrës dhe Këshilli i Qarkut kanë shprehur në 12 vitet e fundit interesim për të rikthyer në vitet e arta aeroportin e dikurshëm. Shumë drejtues të lartë të pushtetit vendor kanë organizuar takime me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Ajrore dhe me Drejtorinë e Aviacionit Civil në Tiranë. Në vitin 2003, falë një fondi të akorduar nga qeveria italiane u bë i mundur investimi për ndërtimin e stacionit meteorologjik me të gjitha standardet ndërkombëtare. Edhe Bashkia e Gjirokastrës, me anë të një fondi modest, vendosi shenjat kufizuese dhe bëri pastrimin e pistës, riparimin e jashtëm dhe lyerjen e godinës kryesore. Pas këtyre ndërhyrjeve, Komanda e Forcave Ajrore vendosi në mjediset e aeroportit një grup ushtarësh dhe në funksion të riaktivizimit të tij organizoi në vitin 2005 një stërvitje rajonale me helikopterët e regjimentit të Farkës. Po në vitin 2003, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, në bashkëpunim me specialistët italianë të “VSP”-së (Volontari Senior Profesionali) dhe shoqërisë “Tecno Engineering 2C” në Romë, realizoi një studim fizibiliteti për këtë aeroport. Kostoja për ta kthyer aeroportin e Gjirokastrës në gjendje funksionale dhe sipas normave ndërkombëtare, në bazë të studimit dhe të specialistëve italianë të VSP-së, është rreth 5 milionë euro.

Ndihma italiane

Në fillim të vitit 2008, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, i kërkoi ndihmë kryetarit të Delegacionit Italian të Ekspertëve (DIE) në Shqipëri, Gjeneral Brigade, Aldo Pikoti, si dhe Konsullit të Përgjithshëm Italian në Vlorë, Lorenzo Tomassoni, për të shikuar mundësitë për ndërhyrje rehabilituese në aeroport, që ai të mundë të shërbejë në veprimtari të ndryshme, si ato emergjente, ushtarake, ashtu dhe veprimtaritë turistike. Ndërhyrja e DIE-s, me një fond prej 100 mijë euro, bëri të mundur rehabilitimin e plotë të aerostacionit të vjetër, si dhe montimin e dy stacioneve meteorologjike. Po kështu, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, në fund të vitit të kaluar miratoi në KRRT studimin e Zonës së Mbrojtur Aeroportuale, i cili ishte përgatitur nga dy specialistët italianë të VSP-së, arkitekti Emidio Ceçoti dhe profesori urbanist Piero Rovigatti. Specialistët e aviacionit civil u rekomanduan drejtuesve vendorë të frenohen urgjentisht ndërtimet e paligjshme që kanë filluar të ngrihen afër aeroportit, pasi dëmtojnë normat ndërkombëtare të sigurisë dhe funksionimit të një aeroporti.

Aeroporti sot

Aeroporti i Gjirokastrës shtrihet në fushën e Gjirokastrës, 800 metra larg skajit lindor të qytetit dhe 500 metra nga rruga kombëtare, në një lartësi 190 metra mbi nivelin e detit. Aeroporti zë një sipërfaqe rreth 124.000 metra katrorë, nga të cilat 96.000 metra katrorë i takojnë pistës së fluturimit, 18.000 metra katrorë sheshit të rakordimit dhe 10.000 metra katrorë janë të zonës së shërbimit. Në fillim të viteve '90, aeroporti i Gjirokastrës ishte në gjendje pune, falë kujdesit ndaj tij në kohën e rregullave të forta ushtarake. Në këto vite ai u përdor për rastet e urgjencave shëndetësore, si dhe për autoritetet e ndryshme që vizitonin Gjirokastrën në ditë të mira dhe në ditë me probleme. Avionët e shoqërisë amerikane “MAF” e përdorën këtë aeroport në vitet '90 në funksion të riaktivizimit të linjës ajrore Tiranë-Gjirokastër–Korçë-Tiranë. Në ditët e vështira të vitit ’97 pista e këtij aeroporti u përdor nga shumë helikopterë vendas dhe të huaj. Mund të kujtojmë këtu largimin drejt Tiranës me helikopter të kryeministrit Fino, vizitën e kryeministrit italian, Romano Prodi, vizitën e ish-kancelarit austriak Vranicki etj. Me ngjarjet e vitit 1997 aeroporti i Gjirokastrës pësoi një shkatërrim total, ku shumë aparatura dhe ambientet, si pista, kulla e vëzhgimit, stacioni meteorologjik dhe gjithë infrastruktura që e mbante atë në punë, u dëmtuan rëndë.

Historia e aeroportit

Transporti i brendshëm ajror civil ka nisur në Shqipëri më 4 shtator 1924, kur Këshilli i Ministrave i atëhershëm autorizoi përfaqësuesit e shoqërisë italiane “Adria-Aero-Llojd”, me pronar Otto Llambermohol, të promovonte një projektligji për vendosjen e trafikut të aviacionit civil në linjat Tiranë-Shkodër-Durrës-Berat-Vlorë-Gjirokastër dhe më vonë në linjat Korçë-Kukës dhe Peshkopi. Linja ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë u inaugurua për herë të parë më 11 gusht 1929 dhe shfrytëzohej vetëm në kushte kohe optimale. Atëherë filloi transporti i pasagjerëve dhe i postës, duke përdorur dy ose tre aeroplanë të lehtë, me tre vende secili. Në vitin 1932 u abrogua një marrëveshje e mëparshme me gjermanët dhe iu dha koncesioni për shërbimin ajror civil shoqërisë italiane “Ala-Littoria”, me të cilën Qeveria Mbretërore Shqiptare lidhi kontratë për koncesion ekskluziv. Pikërisht atëherë nisi dhe ndërtimi i aeroportit të Gjirokastrës. Në vitet ‘30-‘40 ky aeroport ka pasur edhe funksion civil, edhe ushtarak. Gjatë viteve të luftës atje u vendosën rreth 30 aeroplanë transporti, bombardues, civilë, etj. Në këtë periudhë transportin civil e bënte shoqëria italiane “Ala-Littoria”, me aeroplanë të tipit “Breda 44”. Linjat kryesore të asaj kohe që kishin si stacion aeroportin e Gjirokastrës ishin Tiranë-Vlorë-Gjirokastër-Tiranë dhe Tiranë-Korçë-Gjirokastër-Tiranë. Ndërsa me Italinë funksiononte linja Gjirokastër–Brindisi. Ky transport zgjati deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa me hyrjen e Shqipërisë në kampin socialist, shërbimi civil i brendshëm ajror u ndërpre dhe nuk u mendua më për ta riaktivizuar, qoftë edhe si një nevojë për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Aerodromet dhe fushat e aviacionit që ekzistonin, përdoreshin nga Ministria e Mbrojtjes për qëllime ushtarake, për nevoja qeveritare dhe humanitare, si dhe për spërkatje në bujqësi.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›