E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vetëmbytet në lumë i sëmuri mendor

 

TIRANE - Një person rreth të 30-ve është vetëmbytur në lumin e Tiranës, rreth orës 15:00 të ditës së djeshme. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Paskuqanit në Tiranë. Kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë parë të riun duke u hedhur në lumë dhe me gjithë thirrjet që i kanë bërë dhe përpjekjet për ta shpëtuar nuk ia kanë arritur dot që ta ndihmojnë. Menjëherë ata kanë lajmëruar policinë dhe një grup efektivash nga Komisariati nr.3 është nisur për në vendin e ngjarjes. Vetëm pas disa minutash është bërë e mundur të nxirret nga lumi trupi i personit rreth 30 vjeç, që ende nuk është identifikuar nga policia. Sipas burimeve nga policia mësohet se personi që është vetëmbytur dje dyshohet se ishte i sëmurë mendor dhe ende nuk janë përcaktuar shkaqet që e kanë detyruar atë të vendosë për veprimin fatal. Të paktën në këtë konkluzion është arritur deri tani nga grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Mësohet se dëshmitarët që e kanë parë teksa hidhej në lumë, kanë thënë për policinë që nuk e njihnin personin që u mbyt, por e kishin parë herë pas here në rrugët e fshatit dhe që dyshonin se ishte person me probleme mendore, sepse sipas tyre ai kishte sjellje të çuditshme. Ndërsa mësohet se policia ka dërguar trupin e pajetë në morgun e Tiranës dhe po punon për identifikimin e tij dhe më pas njoftimin e familjarëve.                                                                      e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›