E Diel, 1 Nëntor 2026

Memorial në bronz dy besëlidhjeve historike

 

SARANDE - Në një atmosferë festive dhe mbarëpopullore, në fshatin Senicë, rreth 20 km larg qytetit të Sarandës, është përuruar memoriali i derdhur në bronz, kushtuar dy besëlidhjeve historike. Në prani të përfaqësuesve nga disa krahina të jugut shqiptar, simbolikisht janë vënë duart mbi flamur dhe, ashtu si 239 vjet më parë, është bërë betimi i ri për të qëndruar shqiptarisht në krah të njëri-tjetrit. Fshati Senicë, vendi i mbajtjes së dy besëlidhjeve historike më 1610 dhe 1770, u është kthyer këtyre dy ngjarjeve historike duke e kthyer në festë mbarëpopullore, me pjesëmarrjen masive të seniciotëve, të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, si dhe të emigrantëve nga disa vende të botës. Mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve ua ka dhënë në emër të shoqatës "Besëlidhja seniciote" kryetari i saj, Kostaq Xuxi, i cili tha se, dy besëlidhjet e mbajtura në Senicë, janë pjesë e memories së secilit dhe se shpella ku u lidh besa e seniciotëve më 1610 dhe e krerëve të gjithë krahinave të jugut më 1770, ishte bërë atëherë pjesë e ritualit të jetës. Në martesat që bëheshin çifti prekte këtë shpellë para se të vinte kurorë dhe se arkivoli me trupin e të vdekurit vendosej mbi shpellë para se të përcillej për në banesën e fundit. Pastaj përfaqësues të Senicës, të krahinave të Labërisë dhe Çamërisë, është zbuluar memoriali i derdhur në bronz, vepër e skulptorit vlonjat, Zeqir Alizoti dhe më sponsorë të derdhjes dhe vendosjes në piedestal të memorialit veterani Koço Gjika dhe inxhinieri Niko Çollaku. Në pllakën përkujtimore  është i shkruar teksti i betimit të bërë më 1610 nga seniciotët përballë myslimanizmit: "Mu bëftë haram gjiri i mëmës dhe mos lënça bina, po shkela benë dhe ndërrova fenë". Festa ka vijuar me këngë e valle përreth Rrapit të Senicës dhe Kodrës së Burrave, ku janë promovuar edhe dy botimet e fundit, libri me poezi "Senica në gëzime e derte", të Theodhori Mihos dhe "Një jetë plot humanizëm", të Kostaq Xuxit.                                                                                                   sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›