E Diel, 1 Nëntor 2026

Birra nga Hapësira zbret në tokë

TOKIO-Pas kthimit nga orbita e gati për tu hedhur në treg Birra Hapësira po ngjall gjithnjë e më shumë kureshtjen e adhuruesve të birrës në Japoni. Kjo birrë është fryt i një misioni pesë mujor që synonte të arrinte rritjen e elbit atje ky nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Kjo pije alkolike ka origjinë jashtë tokësore pasi elbi i përdorur për prodhimin e saj është rritur në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Kjo birrë e rrallë, e përftuar falë angazhimit në këtë projekt Akademisë Ruse të Shkencave, një universiteti japonez dhe gjigandit Sapporo, u hodh në treg dy ditë më parë në Tokio. "Ne e kultivuam elbin e përdorur për prodhimin e kësaj birre në hapësirë, por ngjyra e përmasat e tij nuk ndryshuan aspak. Për më tepër, proteina që përmban elbi nuk ndryshoi aspak duke mos e cënuar shijen e birrës" tha Manabu Sugimoto, Profesor i Asociuar pranë Universitetit Okayama dhe kërkues i "Elbi Hapësinor". "Po të nisemi nga fakti që nuk zbuluam asgjë të re mund të duket se nuk kemi korrur sukes, megjithatë fakti që rritëm elbin në hapësirë është tepër i rëndësishëm. Ky është një hap i madh përpara drejt jetës së njeriut në hapësirë në një të ardhme" shtoi ai.
Gjigandi Sapporo do të nxjerrë në shitje pakot me gjashtë shishe për 250 blerësit e parë fatlumë përmes një llotarie. Secila pako gjashtëshe kushton 115 dollarë, ose e thënë ndryshe 19 dollarë për shishe.

Sapporo ka bërë të ditur se të gjitha të ardhurat do të shkojnë për llogari të një shoqate bamirësie japoneze ndaj shpreson që të shesë më shumë shishe në të ardhmen. "Shpresojmë që elbi që aktualisht ndodhet në hapësirë të shndërrohet në birrë pranverën e ardhshme. Kështu do të kemi më shumë birrë hapësinore për blerësit" tha Seiichiro Ichikaëa, drejtori adminstrativ i i prodhimit dhe teknologjisë pranë Sapporo.
Shitja e birrës së zakonshme në Japoni ka pësuar rënie të ndjeshme për shkak të heqjes së saj nga menutë e shumë lokaleve për shkak të përmbajtjes së saj të gazuar. Disa nga ata që provuan birrën e re të Sapporo thanë se shija e saj ishte krejt ndryshe, e shumë herë më e mirë se birra tradicionale. "Kjo birrë është tepër e shijshme. Më pëlqen birra ndaj kam shijuar lloje të ndryshme por kjo është padyshim më e mira" tha Takashi Umeki. Një tjetër amator i birrës e mbështeti fuqishëm mendimin e tij. "Ishte tepër e shijshme. Nuk e di sa ka ndikuar rritja e elbit në hapësirë veç di që ishte shumë e shijshme" tha Akijoshi Aojama.

(pergatitiSokolTopi/News24/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›