E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e Afganistanit, kundërshtitë e para

Presidenti amerikan, Obama, është përballur menjëherë pas fjalimit të tij në lidhje me strategjinë e re në Afganistan me një sërë kundërshtish. Ndërkaq, është fituar frika se vendosja e datës së tërheqjes së trupave do të ndihmojë talebanët në strategjinë e tyre duke dëmtuar aleatët. Kritikët e planit të parashtruar nga Obama thanë se vendosja e datës së tërheqjes, që është korriku i vitit 2011 dhe transferimi i pushtetit dhe i sigurisë, trupave vendase do t‘i japë mundësi armikut që të "qetësohet" dhe të presë momentin e ikjes së amerikanëve për të sulmuar sërish fuqishëm forcat vendase që sigurisht janë shumë më të dobëta se ato të komunitetit ndërkombëtar. Ish-kandidati për president, Mekkejn tha se "Hamid Karzai e di shumë mirë që nëse trupat amerikane do të largohen ai nuk do ta ketë të gjatë në qeverisje". E ardhmja politike e Obamës mund të vazhdojë të qëndrojë në kursin që ai nisi me fjalimin tij të së martës, para ushtarakëve të West Point në lidhje me konfliktin 9-vjeçar. Ai kërkon mundjen e Al-Kaedës, moslejimin e rikthimit të talebanëve në pushtet dhe krijimin e një qeverie funksionale në Kabul. Plani i Obamës duket se i ka pëlqyer shefit të shtabit. "Në planin e Presidentit nuk ka asgjë të gabuar kur bëhet fjalë për vendosjen e objektivave, apo të afateve të largimit të ushtrisë nga vendi, sepse gjithsesi, progresi do të matet muaj pas muaji". Ndërsa ndihmësit e Presidentit Obama për të qetësuar kritikët janë munduar dje që të sqarojnë ata dhe publikun se korriku i vitit 2011 është vetëm fillimi i largimit të trupave nga Afganistani dhe se kjo nuk do të çonte në një tërheqje të shpejtë dhe të menjëhershme të tyre. Edhe për komandantin e NATO-s në Afganistan, afati 18-mujor i vendosur nuk do të thotë se pikërisht në këtë datë të gjithë do të ikin. Ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, thotë se fillimisht do t‘u dorëzohen forcave vendase të sigurisë zonat e stabilizuara në veri të vendit dhe në perëndim të vendit dhe pastaj pak nga pak do të nisë edhe largimi nga zona të tjera më problematike. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se ishte i bindur që Aleanca nga ana e saj do të çonte në Afganistán edhe rreth 5-7 trupa të tjerë shtesë, ndërkohë që Kryeministri britanik, Braun, u bëri publikisht thirrje të gjithë aleatëve që të bashkoheshin dhe mbështesnin strategjinë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›