Skandal me importin e energjisë në Kroaci
Korporata Elektroenergjetike e Kroacisë është e detyruar të blejë energji me çmim prej 83 eurosh për MWh nga dy kompani të huaja pavarësisht se çmimet aktuale të energjisë variojnë në rreth 45 euro, bën të ditur agjencia e lajmeve Energetika.net. Në shtator të këtij viti, drejtori i Hrvatska Elektroprivreda, Ivan Mravak u shkarkua nga detyra, pasi u akuzua se kishte blerë energji të shtrenjtë pavarësisht se qe lehtësisht e parashikueshme që çmimi do të ulej ndjeshëm. Kontratat e debatuara u nënshkruan vitin e kaluar me kompanitë EFT dhe Rudnap dhe kishin çmim mesatar 83 euro për MWh. Energjia u disbursua këtë vit, kur çmimet e energjisë në Ballkanin Perëndimor variuan në 40-45 euro për MWh. Drejtori i ri i korporatës kroate, Leo Begovic, tentoi të rinegocionte çmimet, por të dyja kompanitë e hodhën poshtë. Kompania EFT konfirmoi zyrtarisht se kroatët i kanë kërkuar reduktim të çmimit për të cilin qe rënë dakord dhe se e kishte refuzuar këtë kërkesë për shkak se energjia qe kontraktuar në bazë të kushteve të tregut në një kohë të caktuar. Kroacia ka blerë gjatë këtij viti 91 milionë euro energji nga kjo kompani. Një përgjigje të ngjashme mori edhe nga kompania tjetër Rudnap, ku është blerë 43.7 milionë euro energji. Kroacia është një vend importues neto i energjisë. Gjatë vitit 2008 importoi 5229 GWh.