Biseda “Hoxha”, Berisha: Ndalova tim bir që të padiste Wikileaks
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje, në një intervistë për emisionin “Opinion”, qëndrimin e tij ndaj akuzave të bëra publike nga Wikileaks, ku përfshihet edhe djali i tij. Berisha flet edhe për rolin që fëmijët e tij kanë në PD, si dhe mohon në mënyrë kategorike një mandat tjetër për President.
Intervistoi: Blendi Fevziu
U kthyet nga pushimet duke dëgjuar Wikileaks...
Ajo nuk ishte asnjë lloj surprize për mua. Para disa muajsh, një mik gazetar, erdhi më shpjegoi dhe më tha “a do ti sjell kabllot”? - Jo i thashë, nuk kam nevojë, sepse unë nuk kam asnjë interes për to...Pse nuk kisha interes për to? -Unë nuk kisha interes, sepse për atë që ka alfën e politikës, dihet që qeveria amerikane, çdo gjë, çdo qëndrim e shpreh me deklarata me non-paper, me nota dhe mesazhe. Pra, qeveria amerikane nuk ka absolutisht asnjë lloj kompeksi, të shprehë në mënyrë të kristaltë qëndrimin e saj. Andaj, gjatë këtyre 5 viteve, ka shprehur në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare. Qeveria amerikane, është qeveria që ka pasur qëndrimin më të shkëlqyer nga zgjedhjet e 2009-ës, ka bërë përpjekjet më të mëdha për të ndihmuar Shqipërinë në çdo rrethanë, ka shprehur qëndrimin e vet në institucionet ndërkombëtare. Qëndrimi i SHBA-së nuk shkon nga Tirana në Washington. Qëndrimi vjen me nota, me mesazhe, ka sistemin e vetë. Por, se cfarë përcjell x apo y, kjo është një çështje korrespondence. Është njësoj si të futesh në panairin e plaçkave të vjedhura, sepse këto janë dokumente të vjedhura. Në etikën më të mirë, edhe gazetat kryesore të botës, tek të cilat vajtën kabllot e Wikileaks-it, vendosën që të mos i botojnë këto, pavarësisht se janë të spektrit të majtë dhe të djathtë. Por e panë që nuk kishin asnjë kod moral. Wikileaks, ishte në mënyrë absolute, pasqyrë e shtypit shqiptar, është vjedhja e kodeve të komunikimit të ambasadave të SHBA-së në vende të ndryshme. Kemi të bëjmë me një akt vjedhje...
Ka qenë politike personale e ambasadorit Uidhers?
Tërësisht.
Ju thatë që raportet e Uidhers, në shumicën e tyre, i zënë raportet e shtypit. Po ju sjell një frast konkret. Në një prej këtyrë raportimeve, ai ka informuar Washingtonin se Luan Hoxha i ka thënë atij në konfidencë, në një takim, që gjatë fazës së dytë të Gërdecit ai është telefonuar nga djali juaj...
Së pari, sërish, ky i përket fondit të Wikileaks, dhe kur im bir më tha që unë do i drejtohem gjyqit, unë i thashë - jo.
E ka telefonuar apo jo?
Së pari, nuk i drejtohemi gjyqit. Sepse nuk mund ta përfillim ne Wikileaks, siç e përfilli kryetari i opozitës. Kablli thoshte se, në vitin 2007, z. Luan Hoxha paska marrë një telefon nga një zë, që iu duk që ishte zëri i Shkëlzenit, dhe sipas këtij kablli, ky nuk ia kishte thënë Prokurorit se kishte frikë. Kjo ishte gjëja më e verifikueshme dhe nëqoftëse ky kishte marrë një telefonatë, dhe vërtet ishte kërcënuar ose ishte kërkuar kjo, nuk kishte gjë më të thjeshtë për t’u gjetur se kush ishte autori. Sot ky zotëri ka bërë një deklaratë se nuk ia kam thënë kurrë atij një gjë të tillë. Në të gjithë dokumentet e dosjes, faktoi se marrëveshja e dytë ishte për çmontim gjylesh, dhe kjo ka qenë absolutisht akti më i rëndë që ka ndodhur.
Po përse djali juaj do të ishte i përfshirë në një telefonatë?
Djali im thotë se kurrë ndonjëherë nuk kam pasur një bisedë telefonike dhe nuk i kam telefonuar kurrë Luan Hoxhës dhe asnjë ushtaraku tjetër. Donte t’i drejtohej drejtësisë, i thashë që më Wikileaks nuk do të bëhet asnjë hap. Sot z.Hoxha bëri deklaratën se unë nuk i kam thënë kurrë z. Ambasador...
Por përse gjendet kjo deklaratë në Wikileaks?
A janë autentike dokumentet e Wikileaks, apo jo, unë këtë nuk e di. Së dyti, a është e vërtet apo jo nëse janë autentike? Edhe unë këtë nuk e di se cili ka të vërtet në këtë mes. Pse? Sepse nuk është i pari Hoxha që mohon ti ketë thënë, por mohojnë ti kenë thënë edhe shtetas të huaj të cilët nuk kanë asnjë lidhje me prokurorinë shqiptare dhe Kryeministrin, por që deklarojnë me besueshmëri të plotë, se një gjë të tillë nuk ia ka thënë kurrë ambasadorit për këtë cështje.
Ju po thoni që i ka sajuar, ju e mohoni, nuk ka ekzistuar?
Unë nuk e analizoj, as nuk e mohoj, as e pohoj. E mohoi Luan Hoxha. Unë i kërkova tim biri që të mos shkonte në drejtësi. Jo, i thashë unë. Me Wikileaks, jo. Sepse të bësh gjyqe për Wikileaksin, për Asanzhin, është një gjë qesharake. Ky është qëndrim im. Kurrkund në botë, përveçse në Shqipëri, kreu i opozitës u anëtarësua në partinë e Wikileaksit.
Akuzohej për rrugën Durrës-Kukës. A e lexuat?
Jo, nuk e lexova.
Nuk ishit kurioz të shihnit se kush shkonte të raportonte?
Nga partia ime nuk është ndaluar asnjë njeri i vetëm që të shkonte në Ambasadë. Punonjësit e administratës shqiptare, drejtuesit e PD-së, nuk kanë asnjë lloj rregulli që të më kërkojnë miratimin për tu takuar me diplomatë.
A ishit kurioz se çfarë thuhej?
Në rast se kishte interes biseda, natyrisht.
Si shpjegohet që Uidhers ka raportuar të gjitha takimet, dhe jo për takimet e tua?
Unë e kam takuar dhe marrëdhëniet me të dihen. Deri sa unë pata mundësi për t’ja thënë eprorëve të tij gjithçka unë kisha. Unë e kam respektuar plotësisht si Ambasador, por në mënyrën më të qartë, i kam shprehur në prani të eproreve të tij, gjithçka që unë kam menduar... Nuk ka njeri më të hapur dhe me direkt se unë me ta, dhe se në mënyrë konstante, atë çka nuk e pranoj ua them, dhe në rast nevoje qeverive të tyre. Ne kemi të bëjmë me vende mike, me vende partnere...
Presidenti është shprehur se, në rast se nuk do të kalonit ligjin për lustracionin, do të organizonit protesta e ta gjuanit me gurë...?
Nuk ka ekzistuar kurrë...Në rast se një President thotë se nuk firmos dhe firmos nën presion, nuk mund të thotë gjë më të rëndë për vehten dhe postin që mban. Në politikë të duartrokasin, të dhurojnë lule, të përqafojnë, të gjuajnë me gurë, janë të gjitha. Nga dita e emërimit të tij e deri më sot, nuk mund të thotë Presidenti kurrë, se ka pasur qoftë edhe presionin më të vogël, për asnjë akt të tillë. Që unë të imagjinoj t’i bëj presion presidentit për këtë vendim apo atë vendim, është e pa imagjinueshme. Presidenti ka të gjithë të drejtat kushtetuese në vendimmarrjen e tij dhe me gjithë problematikën e pamohueshme që ka ekzistuar me 21 janarin, ai nuk është shprehur kurrë se ka pasur presion. Deri në ditën që është President, nuk mund të ketë presion ndaj tij. Nuk ka presion ndaj tij.
Ka komente mbi pasardhësin tuaj në parti...
Se vajza ime do të më zëvendësojë?
Ekziston ky plan?
PD është një parti strukturash, si vajza dhe djali kanë qenë gjithnjë aktivë në jetën politike të saj. Kanë preferuar të qëndrojnë jashtë angazhimit konkret, por këto idera janë qesharake.
Ka një koment të hapur midis komentatorëve dhe nga opozita, sipas të cilëve, në korrik të vitit 2012, ju do të kandidonit për postin e Presidentit?
Unë nuk i marr vesh. Nga njëra anë thonë që të ndryshojmë Kushtetutën, dhe në anën tjetër, thonë që të vemë Berishën, President...
A ka një plan konkret që të largoheni nga posti i kryetarit të PD-së dhe Kryeministrit dhe të shkoni tek Presidenti?
Pasioni im janë reformat.
Ju nuk do të garoni për postin e Presidentit?
Jo dhe jo. Absolutisht.
Ju do ta drejtoni fushatën e 2013?
Po dhe me pasion të mëdha e kam filluar që tani.
A keni ndonje ide të formësuar se kush do të jetë Presidenti apo Presidentja e ardhshme?
Jo. Absolutisht. Do të jetë një zgjedhje Kushtetuese me 71 vota... Në PD, nuk ka të pazëvendësueshëm.
Është shtruar ky debat?
Përderisa parimi është i pazëvendësueshëm, nuk ka nevojë për debat.
Nëse opozita ju kërkon ndryshimet kushtetuese, ju do uleni?
Jo, për presidentin, në mënyrë kategorike jo. Unë për këtë jam i prerë.
Opozita shpreh shqetësimin se, nëse mazhoranca merr në kontroll Presidentin në 2012, atëherë ajo merr njëkohësisht dhe organet e tjera si SHISH, prokurori, gjyqësor….
Zotëri, në Shqipëri Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm janë tërësisht drejtues institucionesh të pavarura kushtetuese. Ky që është sot president, ka qënë nënkryetar i PD-së për disa vjet. Pra me cilën anë është sot ky? Ai është në atë anë që ka dashur.
Është në atë anë për shkak të sjelljes tuaj, jo tuajën personale, por atë politike…
Dakord, ashtu është, pra për inat të sime vjehrre, dal e fle me mullixhinë. Kjo nuk shkon, këtë po thua ti.
Një njeri nuk mund të rrijë në mes të dy goditjeve politike.
Nuk ka goditje. Ky njeri u zgjodh si president, si nënkryetar i PD-së, por do kishte dashur të ishte nënkryetar i PS-së, me ato që bëri dhe me ato qëndrime që mbajti. Asnjë rëndësi s’ka. Këto, janë që të gjitha zgjedhje të caktuara. Nuk duhet të ngatërrojmë postin e presidentit me individin, sot kemi një sistem zgjedhjesh të duhur.
Pse mos të bëhet zgjedhja e presidentit nga populli?
Në konceptin tim, nga populli mund të zgjidhet dhe duhet të zgjidhet kur Republika është Presidenciale.
Mund të mbështesni ju një kërkesë të opozitës për ndryshimin e sistemit?
Ne kemi një sërë sugjerimesh dhe rekomandimesh të OSBE-ODIHR-it dhe ne do ti qëndrojmë atyre. Nëse opozita ka propozime shtesë, ne jemi gati t’i trajtojmë. Ndaj dhe për sistemin, nëse ata duan ta ndryshojmë, ne, që nesër jemi gati ta ndryshojmë. Nuk fitohen zgjedhjet nga sistemi, por nga qytetarët. Kjo është bindja ime dhe kur të dojë Rama, le ta propozojë, unë do ta votoj atë.
Në vjeshtën e këtij viti duhet të rinovohen dy mandate të rëndësishme, ai i KLSH-së dhe Bankës së Shtetit. A keni piketuar zëvendësues?
Do bëhet një vlerësim. Këto janë poste të drejtuesve të institucioneve të pavarura dhe natyrisht qeverisë, mazhorancës i takon të bëjë vlerësim objektiv për funksionimin e këtyre institucioneve. Kush do jetë nuk mund të them, por vendimi do merret mbi bazën e vlerësimit të performancës së tyre.
Do jetë vendim kompromisi?
Do jetë vendim sipas meritës. E rëndësishme është që këto dy institucione të kenë në krye njerëz kompetentë, njerëz me integritet dhe që dëshmojnë dhe japin garanci për një performancë të duhur, si institucione të pavarura.
Jeni i kënaqur për punën e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës?
Frymë e re. Në një periudhë të shkurtër ai ka arritur të krijojë një frymë të re në gjithë Bashkinë.
Ju se keni vizituar akoma në zyrën e tij...
Unë do ta bëj, do shkoj dhe do ta vizitoj në zyrën e tij...
Marrë nga emisioni “Opinion”