Luan Hoxha: Takimi me Withers, s’kam përmendur emrin e Shkëlzen Berishës
Tiranë Pak ditë pas publikimit të një kabllogrami, ku ish-ambasadori amerikan komenton një bisedë konfidenciale me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka ardhur edhe reagimi i këtij të fundit. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Hoxha konfirmon takimin me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, John Withers, por mohon që në këtë takim të jetë përmendur emri i djalit të kryeministrit. “Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie, që unë, në cilësinë e ish-shefit të Shtabit, kam pasur me ish- ambasadorin John Withers, dëshiroj të sqaroj se: Gjatë këtij takimi, nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, dhe as për çështje të tjera pune, që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht”- thuhet në deklaratën e ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Më tej, Hoxha sqaron se shpjegimet për përgjegjësitë, procedurat, dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, i ka dhënë në një sërë institucionesh që kanë investiguar tragjedinë. “Shpjegimet për përgjegjësitë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Prokurori dhe në Gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin”-thotë më tej ish-shefi i Shtabit në deklaratën e tij. Ky pohim, sipas ish-shefit të Shtabit, ngelet dëshmia e plotë dhe e vetme mbi ngjarjen e cilësuar si fatkeqësia teknologjike e Gërdecit. Në deklaratën e tij, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, thotë se gjatë gjithë karrierës si ushtarak është përpjekur të japë maksimumin në të gjitha detyrat që i janë ngarkuar, në situata normale apo dhe situata shumë të vështira. “Sot ushtroj profesionin si pedagog, por sidoqoftë, përgjigja ime ndaj kërcënimeve apo presioneve, nga kushdo qoftë, ka qënë e do të jetë e njëjta, ajo që bazohet në të vërtetën dhe ligjin”- thuhet në deklaratën e zotit Hoxha. Reagimi i djeshëm i ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm vjen pas publikimit të një kabllogrami, që ish-ambasadori i SHBA-ve në Tiranë i dërgonte Departamentit amerikan të Shtetit. Kabllogrami i datës 20 qershor flet për një bisedë mes ambasadorit Withers dhe ish-shefit të Shtabit, takim ky i kërkuar nga kreu i ushtrisë shqiptare. Sipas kabllogramit, në këtë takim gjeneral Hoxha ka treguar ngjarjen, sipas versionit të tij, për atë që ndodhi më 15 mars 2008. Hoxha, sipas dijenisë së tij, thotë se ish-ministri Mediu, ka marrë të gjitha vendimet, që nga zgjedhja e Gërdecit si pikë demontimi, si dhe llojin e municioneve që do të demontoheshin.
Kabllogrami i Withers për takimin me Hoxhën
Sipas kabllogarimit të ish-ambasadorit, thuhet se, kreu i ushtrisë shqiptare i ka deklaruar ambasadorit, se në gjysmën e projektit, në dhjetor 2007, Hoxha ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij, drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas këtij urdhëri, ka qenë një telefonatë nga një person, i cili sipas kabllogramit, është identifikuar si Shkëlzen Berisha, i cili ka urdhëruar të vazhdohej me transportin e municioneve. Por, pikërisht ky detaj i bisedës, është mohuar nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili deklaroi dje se nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Shkëlzen Berishës, gjatë takimit konfidencial me ambasadorin Withers.