E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Marubit 35 filma per te drejtat e njeriut

Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut rikthehet në edicionin e tij të gjashtë. Nga data 25 deri në 30 shtator do të ndiqe pranë Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi filma artistikë e dokumentarë nga mbarë bota, të bazuar kryesisht në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe zgjidhjen e tyre. Në ditën e parë të prezantimit ka marrë pjesë dhe Ambasadori i OSBE, Eugen Ëollfarth dhe kreu i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm, të cilët theksuan se të drejta e njeriut vazhdojnë të shkelen sistematikisht edhe ne vendet me demokraci të zhvilluar. Sipas tyre shqiptarët duhet të kuptojnë ndjenjën e drejtësisë por dhe frikën ndaj saj.

"Komuniteti europian vazhdon ta ketë në vëmendje cështjen e të drejtave të njeriut që nga shek. XVIII ku dhe u nisën fushatat për zbatimin e tyre. Ku Kanti dhe Rusoi i dërgonin mesazhe mbretërve, përpjekja për vendosjen e drejtësisë nuk është ndalur. Edhe pse sot jetojmë në një botë demokratike ende të drejtat e njeriut kanë nevojë të monitorohen. Mendoj se këta filma do të japin mesazhe të qarta", tha Eugen Wollfarth.

Në këtë festival konkuruan afro 350 filma, prej të cilëve u përzgjodhën për t’u shfaqur 35 prodhime filmike të zhanreve të ndryshme, artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër. Një pjesë e filmave që do të shfaqen për publikun janë të ndaluar në vendet e tyre të origjinës. Përveç këtyre, një përzgjedhje e veçantë u është kushtuar filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët do të jenë pjesë e forumeve në 28 shtator.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›