E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata: 1600 mësues po hiqen për qëllime politike

Tiranë, 12 Shkurt NOA/ Blerina Ahmetaj - Konfederata
e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) akuzon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
se po largon për qëllime politike rreth 1600 arsimtarë në arsimin 9 vjeçar dhe
të mesëm pa asnjë motiv përveç atij politik.

Kryetari i Konfederatës, Kolë Nikollaj, i tha
sot agjencisë NOA se Ministria e Arsimit ka nxjerrë këtë javë një urdhëresë krejtësisht
abuzive duke ngarkuar normën mësimore javore dhe mujore të mësuesve për të
shkurtuar në këtë mënyrë vendet e punës.

Ky vendim i MASH, është në kundërshtim me
kontratën kolektive të punës dhe vjen si pasojë e limitimit dhe shkurtimit të
fondeve që buxheti i shtetit i ka akorduar kësaj ministrie, pasojë kjo e krizës
ekonomike e cila nuk e pranon se është prekur. Largimet pa kritere nga puna jo
vetëm janë antiligjore por dhe selektive duke penalizuar arsimtarët që mendojnë
ndryshe politikisht apo kanë anëtarësi në konfederatë, - tha Nikollaj.

Kreu sindikalist Nikollaj u ka bërë apel të
gjithë arsimtarëve që ti bashkohen grevës së përgjithshme e cila pritet të
organizohet për këtë çështje pas 2 javësh.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Ministria
e Arsimit. Titullari i dikasterit, Myqerem Tafaj ka kundërshtuar akuzën e
sindikalistëve duke i justifikuar pezullimet si pasojë e përfundimit të
kontratave të përkohshme që mësuesit kanë lidhur me drejtoritë arsimore,
kontrata të cilat nuk janë rinovuar më.

b.a/e.r/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›