E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka gjë nën tryezë

Sot mbahet në Presidencë tryeza e parë politike në vend, që mblidhet për t’i dhënë zgjidhje dilemës së një kryetari partie. Se si do të realizohet zgjidhja politike konkrete, jo nëpërmjet tezash, por nëpërmjet një veprimi konkret, për të nxjerrë nga dilema Edi Ramën, kjo mbetet për t’u parë. Ka një mjegull të fortë për këtë tryezë ndryshe nga të gjitha tryezat e tjera, kjo edhe për shkak se dilemat zgjidhen nga psikologët dhe as Berisha e as Topi nuk janë psikologë. Ndërkaq nuk kanë qenë psikologë as ambasadorët që e nxitën këtë tryezë dhe as raporterët e KiE-së, që e bënë zyrtare nevojën e një tryeze mes mazhorancës dhe opozitës. Edi Rama ka më shumë se gjashtë muaj që predikon bojkotin e tij, por prej asaj dite që vendosi të mos shkojë në Parlament e deri sot, nuk ka dhënë asnjë argument për të goditur infrastrukturën që realizoi zgjedhjet e 28 qershorit të 2009-ës. Ai është ngritur kundër zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë, por nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme për kodin zgjedhor, në bazë të të cilit u realizuan zgjedhjet. Ai nuk e ka atakuar atë në asnjë nen, në asnjë paragraf dhe nuk i ka vënë gishtin qoftë edhe një fjalie, e cila mund të ishte bërë sebep për të prishur zgjedhjet siç ai pretendon. Po ashtu, kryetari i PS-së nuk ka zënë me gojë ende asnjë emër komisioneri qoftë nga PD e qoftë nga PS, bile nuk ka atakuar as faktin se komisionet ishin vetëm nga këto dy parti, për të shprehur ndonjë pakënaqësi, ndonjë fakt rreth mundësisë së tjetërsimit të votës. Ai nuk ka atakuar në asnjë moment Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha shkallët e këtij institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e votimit, numrit etj. Nuk ka thënë një fjalë të keqe, por për më tepër nuk ka thënë asgjë. Po ashtu, nuk ka thënë asgjë për Policinë e Shtetit, për institucione të tjera shtetërore që kanë përgjegjësinë e zgjedhjeve, duke nxjerrë të larë në dilemën e tij edhe institucionet shtetërore. Ai nuk thotë asgjë përveçse “kërkoj hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave”, pa asnjë argument, duke krijuar idenë se ato kuti nuk kanë qenë të hapura dhe votat nuk janë numëruar asnjëherë. Kutitë kanë qenë të hapura prej komisionerëve socialistë e demokratë dhe janë numëruar po prej tyre, në prani të skuadrave vëzhguese kombëtare e ndërkombëtare, në prani të vëzhguesve të partive, pra PS e PD, të stafit të kandidatëve për deputetë dhe të vetë kandidatëve për deputetë. Në fund, edhe të filmuara prej komisionerëve. Në rreth gjashtë muaj trupa e bojkotit nuk ka mbledhur asnjë argument kundër zgjedhjeve, përveçse e ka shndërruar dilemën e Edi Ramës në një kauzë politike, të cilën nuk e pajis me një zgjidhje normale asnjë ekip politikanësh, as një ekip mjekësh, as një ekip sociologësh. Nuk ka zgjidhje normale të hamendjes së Ramës nëse ai nuk rikuperon hamendjen, për të bërë sadopak të provueshme dhe për ta bërë sadopak të diskutueshme në një ambient politik.
Cilësia numër një e një politikani është përgjegjshmëria. Ajo nuk vjen prej subkoshiencës, por prej koshiencës dhe bëhet barrierë për veset që vijnë për shkak të anatomisë. Nëse një lider opozite ka ndërmend të shkaktojë krizë në një vend, mund ta bëjë edhe nëpërmjet hamendjeve. Por liderët bëhen të tillë, pasi kanë kaluar në sitën e verifikimit të përgjegjshmërisë. Edi Rama i ka shpëtuar kësaj site dhe krenohet me krizën që vetë ai ka pllakosur në politikën shqiptare, nën kauzën e rreme të zgjedhjeve të lira dhe të zbardhura. Shqipëria ka pasur edhe më parë kriza. Por kur ka lindur një krizë, ka pasur edhe prova të krizës, pra ka pasur “vendngjarje”. A ka të tillë sot? Të paktën Edi Rama nuk ka asnjë argument për këtë. Ose ka më pak argumente se një raporter i zakonshëm i politikës në Berat, që mund ta ketë shkruar shkrimin “Erion Braçe i vjedh Erion Velisë, votat në Kuçovë”. Po nëse hapen kutitë dhe provohet kjo, çfarë bëhet me hajdutin, që në këtë rast është Edi Rama? Apo është hajdut i penduar dhe bashkëpunon! Kasetën e votimeve në Berat, Rama e ka në zyrë. Të na thërrasë të gjithëve një ditë e ta shohim së bashku.
Hamendja në politikë është sjellje diktatoriale. Në autokraci, pra në komunizëm nëpërmjet hamendjeve ndërtoheshin ideologji, kauza, sfida. 700 mijë bunkerë në Shqipëri kanë qenë rezultat i një hamendjeje të Enver Hoxhës. Mijëra pushkatime, burgime, internime janë bërë për shkak të hamendjeve të zyrtarëve të sistemit komunist. Në demokraci hamendja është e rrezikshme, bile hamendja është gati një faj në vetvete. Në demokraci ka peshë fakti.
Kjo tryezë e sotshme është e zorshme, sepse qëllimi i bojkotit nuk është i ndershëm. Bile nuk kemi ç’kërkojmë as nën tryezë, siç ndodh në kësi rastesh, kur prej andej dalin zgjedhjet.
Kjo, pasi bojkoti i PS-së nuk ka shkrirë ideale, por ka bashkuar vese. Vetë PS nuk është unike në qëndrimin ndaj bojkotit dhe nëse ai zgjat deri më 4 mars, kjo do të jetë lehtësisht e vërtetueshme, pasi një pjesë e deputetëve socialistë do të shkojnë në Kuvend. Ka bashkuar vese për shkak se nuk mund të mendohet Spartak Ngjela më i majtë se Ben Blushi apo Kastriot Islami. I pari ka qenë edhe herë të tjera kundër Berishës dhe PD-së, por nuk ka qenë në krah të Fatos Nanos apo Gramoz Ruçit. Ngjela është ndër njerëzit më të goditur pas Berishës prej shtypit zyrtar të PS-së gjatë pluralizmit. Pra, nuk i ka bashkuar politika çfarë do të ishte normale, por i ka bashkuar inati. Për inat vetëm mbretërit e hershëm ndërmerrnin fushata, ndërsa politikanët e sotëm të Perëndimit nuk e kanë në axhendë, ose të paktën nuk e kthejnë atë në kauzë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›