E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy opozitat dhe dy pushtetet

Aktualisht është krijuar një marrëdhënie politike e caktuar, e cila përcakton shumë anë të tjera të jetës publike në Shqipëri.
Nga njëra anë qëndrojnë forcat politike që qeverisin vendin dhe nga ana tjetër opozita, me përfaqësuese kryesore, ndofta nga pesha, të vetme, që është Partia Socialiste. Mirëpo kaq do të ishte ende jo e gjithë marrëdhënia dhe raporti politik i krijuar, sepse kjo anë politike ka edhe një aspekt tjetër po aq të rëndësishëm. Kuptohet se partitë në qeverisje, kryesisht Partia Demokratike, kanë një pushtet që është ai i administratës qendrore, pra i pushtetit në nivel qendror, kombëtar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Deri këtu nuk kemi asnjë anomali sepse partia që fiton zgjedhjet, ka të drejtë edhe të qeverisë vendin. Mirëpo, për rrethana të caktuara koniunkturale, që në fakt mund të krijohen herë-herë dhe janë mpiksur ndonjëherë edhe në vende të tjera, edhe opozita ka një pushtet shumë të fuqishëm në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit. Kjo vjen nga fakti se kryetari i Partisë Socialiste është njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në këtë mënyrë edhe opozita është në pushtet në qeverisjen lokale në Tiranë. Duke marrë parasysh faktin se Tirana brenda perimetrit që administrohet nga bashkia është një pasuri e madhe dhe burim pasurie të jashtëzakonshme, edhe opozita ndihet e pushtetshme, pra. Ka njerëz nën administrim, zona që ajo kontrollon është me një dendësi demografike shumë të madhe, niveli i taksave që mbledh, shumë i konsiderueshëm, për shkak të aktiviteteve ekonomike që takson dhe mbi të gjitha me kompetenca në fushën e ndërtimeve, pikërisht në një territor ku ndërtimet kanë qenë ndofta aktiviteti më frytdhënës dhe më me fitim se të gjithë të tjerët.
Nuk kanë këtë peshë bashkitë apo komunat e tjera të vendit ku drejtojnë socialistët. Edhe në vende perëndimore ka ndodhur që herë pas here qeverisja lokale e kryeqytetit të jetë në duart e partisë opozitare në parlamentin qendror. Por edhe aty, pushteti në kryeqytet nuk ka pasur asnjëherë këtë ekuilibër me pushtetin qendror sikurse te ne. Kjo ka ardhur për shumë arsye që nuk mund t’i analizojmë këtu. Theksojmë vetëm se edhe kur kjo ka ndodhur, në këto vende pushteti qendror dhe pushteti lokal kanë pasur një ndarje kompetencash të qarta dhe nuk e interferonin kaq shumë njëri-tjetrin.
Në këtë mënyrë është krijuar një kryqëzim variablash që ndërlikon jetën politike të vendit. Nëse sot te tavolina e Presidentit të Republikës negociohet për të zgjidhur kokolepsjen e marrëdhënieve politike aktuale, në fakt problemi përqendrohet, dhe nuk ka si të jetë ndryshe, te anët që duken nga jashtë të tensioneve dhe moskuptimeve politike aktuale. Por, poshtë tyre ka një terren politik, organizativ, strukturor, institucional që ka bërë të mundur që brenda tij të lindë kjo situatë.
Cili është ky konfigurim forcash në mënyrë të kryqëzuar?
Partia Demokratike është në pushtet në nivel kombëtar, kurse Partia Socialiste është në fuqi brenda një pushteti lokal shumë të fuqishëm dhe të rëndësishëm. Po kështu, për rrjedhojë, struktura që po flasim, bën që Partia Demokratike të jetë në opozitë në pushtetin lokal të Tiranës, kurse Partia Socialiste të jetë në opozitë në pushtetin qendror. Ose, po ta çojmë këtë çiftëzim deri në fund, pra deri në njëfarë paradoksi, do të thoshim se pushteti qendror është në opozitë në pushtetin lokal, kurse pushteti lokal është në opozitë në pushtetin qendror. Po të vazhdonim arsyetimin e çiftëzuar si deri tani, secila nga opozitat në nivele të caktuara ka pushtet në një nivel tjetër dhe secila nga forcat politike në pushtet është në opozitë në një nivel tjetër.
Dikush mund të thotë se deri këtu arsyetimi përshkruan një gjendje të stërholluar, por puna është të dimë se çfarë del nga kjo?
Është kjo thjesht një situatë, e cila ka ardhur nga bashkimi i shumë rrethanave koniunkturale, fundja për faj të askujt, apo jashtë komplekseve të fajit, ka vend edhe për të parë pasojat që vijnë nga kjo pleksje rrethanash të çuditshme?
Analiza që po bëjmë, vjen jo vetëm nga një përshkrim paksa teorik i gjendjes, por edhe nga konstatime empirike të bëra gjatë këtyre kohëve kur tensionet politike në vend janë shprehur në forma disi të ashpra dhe me mangësi në pjesëmarrjen e aktorëve politikë në institucione.
Nga njëra anë asnjëra nga partitë politike nuk e bën në mënyrë të lirshme dhe të natyrshme rolin e opozitës, sepse pas i rëndon pesha e pushtetit që ka në një nivel tjetër. Nga ana tjetër edhe kur e bën këtë opozitë, më shumë e bën dhe ndikohet nga interesat e pushtetit që zotëron dhe për të ekuilibruar opozitën në atë nivel. Kështu, kemi parë se sa herë që opozita ngre tonet opozitare ndaj pushtetit qendror, në rrugët që i ka zgjedhur vetë, të mira apo jo të efektshme (tjetër gjë kjo), aq herë opozitarët në pushtetin lokal, përfaqësues të forcës politike në qeverisjen qendrore, ngrenë më fort zërin në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës apo në media. Po kështu, sa herë që këshilltarët bashkiakë opozitarë ngrenë zërin apo radikalizojnë qëndrimet në Këshillin Bashkiak, aq herë edhe opozita socialiste ngre tonet kundër qeverisjes qendrore. Nëse ka një ulje tonesh nga Partia Socialiste ndaj Kryeministrisë apo shpresohet se deputetët e saj do të hyjnë në Kuvend, pra do të arrihet një kompromis, aq herë këshilltarët opozitarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës u ikin mediave dhe nuk formulojnë më kritika për qeverisjen lokale në Tiranë.
Në këtë mënyrë, secili nga pushtetet përpiqet të moderojë tjetrin, duke përdorur për këtë qëllim rolin e vet opozitar atje ku nuk e ka pushtetin. Qeverisja qendrore ka si instrument moderues të opozitës socialiste këshilltarët e vet në pushtetin lokal të kryeqytetit, kurse pushteti bashkiak ka si instrument moderues të pushtetit qendror deputetët socialistë opozitarë në Kuvend.
Nga njëra anë, kjo gjendje ka një lloj efekti zbutës të klimës politike, por kohët e fundit jeta dhe faktet kanë treguar se ky efekt pozitiv është shumë i kufizuar dhe për më tepër mund të kthehet në të kundërtën e vet.
I qëndroj mendimit se një pjesë e madhe e problemeve politike të sotme vijnë nga një vështirësi administrimi e politikës pikërisht nga kjo strukturë e përmbysur dhe e kryqëzuar e marrëdhënieve mes pushtetit qendror dhe atij lokal në Tiranë.
Kur Partia Socialiste bënte mitingjet e veta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i përforconte energjitë e veta me fuqitë njerëzore dhe materiale të pushtetit lokal të Tiranës. Në Pallatin e Kongreseve, salla mbushej plot me punonjës të bashkisë. Ndërkohë që edhe shoqata e përgjysmuar e bashkiakëve vihej në lëvizje dhe protestonte. Po kështu, punonjës bashkiakë në mënyrë simbolike lënë thasë me plehra në bulevard. Nga pikëpamja e forcave materiale dhe njerëzore energjia shtohet, por megjithatë në opinionin publik nuk arrihet të dallohet mirë nëse po protestojnë forcat opozitare, populli i majtë, socialistët apo po proteston Bashkia e Tiranës? Një mbivendosje simbolike, që, sipas mendimit tim, nuk i bën mirë identifikimit social dhe politik të opozitës socialiste. Aq më shumë që për të folur në mënyrë kritike në mediat televizive ndaj qeverisjes qendrore dalin edhe opozitarë që publiku i njeh si pushtetarë apo nëpunës lokalë, pra të punësuar në Bashkinë e Tiranës.
Është simetrike sjellja politike në anën e ndërsjellë të marrëdhënies për të cilën po flasim. Sapo opozita socialiste e përforcuar nga pushteti i Bashkisë së Tiranës “avanconte” drejt Kryeministrisë, aq më të shpeshta u bënë deklarimet e drejtuesve të grupit opozitar demokrat në Këshillin Bashkiak ose nisin të ndëshkohen ato konsiderohen shkeljet në pushtetin lokal. Ekskavatorët godasin themele ndërtesash të konsideruara pa leje, denoncohen praktika privatizimesh a ankandesh që konsiderohen abuzive, i foluri i drejtuesve të opozitës lokale bëhet i papërmbajtur edhe në planin terminologjik.
Sapo tensioni në rang qendror bie, bien dhe fashiten edhe kritikat në plan lokal dhe anasjelltas.
Çfarë anësh dhe pasojash negative lidhen me këtë?
Qytetarët kanë nevojë për një opozitë të pastër dhe të pandikuar nga faktorë pushteti. Dhe nuk e kanë në këto kushte këtë lloj opozite. Në pushtetin qendror kanë opozitën socialiste të ndikuar fort nga fushat e gravitacionit të pushtetit të Bashkisë së Tiranës, kurse në Këshillin Bashkiak kanë opozitën demokrate, po ashtu të ndikuar fort nga fusha gravitacionale e pushtetit qendror.
Në këtë mënyrë, fuqia dhe roli i opozitave zbehet dhe bëhet tepër instrumental, të ndikuar nga marrëdhënie politike të një niveli tjetër, të një arsyeje tjetër. Për këtë arsye edhe besimi i qytetarëve te opozita, te politika në përgjithësi, bie. Opozitat nuk kanë një qëndrim të pastër parimor, por të ndikuar nga fakti i instrumentalizimit të tyre si faktor pushteti. Vetë marrëdhënia mes pushtetit dhe opozitës, pushteteve dhe opozitave bëhet shumë e ndërlikuar, e turbullt dhe vetë dallimi midis pushtetit dhe opozitës bëhet pothuajse i paqenë.
Ndërkohë që qytetari ka nevojë që këshilltarët opozitarë të jenë gjithmonë shumë aktivë në Tiranë, edhe në kohëra kompromisesh midis opozitës socialiste dhe pushtetit qendror. Po kështu, qytetari ka nevojë që deputetët socialistë të jenë gjithmonë aktivë në Kuvend, pavarësisht se pushteti qendror mund të ketë gjetur gjuhë të përbashkët për bashkinë për probleme të caktuara administrimi territoresh.
Se edhe në planin njerëzor kjo mbivendosje e pushteteve dhe e opozitave duket fare qartë. Nga njëra anë shumë individë të identifikuar sot a dje si të punësuar në Bashkinë e Tiranës janë bërë deputetë dhe shumë administratorë të pushtetit qendror, të zyrave të shtetit, janë bërë këshilltarë lokalë.
Edhe opozitarë, edhe me pushtet, edhe me pushtet, por edhe opozitarë.
Kuptohet që ka nevojë që kësaj situate paradoksale t’i jepet një zgjidhje normative. Përndryshe, tryeza e negocimit politik mund t’i japë një zgjidhje të përkohshme tendosjes politike të radhës, por do të lërë të paprekur strukturën institucionale që e prodhon marrëdhënien aktuale.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, kushdo qoftë ai, mund të lihet të kandidojë si deputet. Përderisa një ministër kandidon, cila është arsyeja që kryetari i bashkisë të mos kandidojë? Mos ka më pak pushtet një ministër? Por, nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka një pushtet që e kapërcen mundësinë e vet administruese si pushtet lokal. Minibashkitë ka vend të kthehen sot a nesër në njësi të pavarura pushteti. Po kështu, autonomia e pushtetit lokal duhet rritur ose së paku qartësuar. Nuk ka kuptim, sipas meje, që të ketë struktura mikste administrimi, ku të plekset pushteti lokal dhe ai qendror. Hierarkia administrative kështu përfundon së qeni. Po kështu nuk ka shumë arsye që një funksionar i lartë i administratës qendrore të jetë edhe këshilltar bashkiak.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›