Bisedimet Kosovë-Serbi pa marrëveshje, dialogu vijon edhe sot

Dita e parë e raundit të dialogut mes Kosovës e Serbisë, që është i pari për këtë vit, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje. Bisedimet vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa takimi i djeshëm ka zgjatur përgjatë gjithë ditës.
Sipas mediave kosovare, palët janë afruar shumë në qëndrime rreth dy pikave, që kanë qenë në axhendë si zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, konkretisht se si do të marrë pjesë Kosova në takimet rajonale.
Zyrtarët e BE-së kanë thënë se takimi ka qenë në një atmosferë pozitive dhe se palët kanë pasur qasje konstruktive. “Kemi arritur shumë, por kanë mbetur shumë gjëra për të diskutuar dhe ato do të vazhdojnë”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Delegacioni i Kosovës dhe shefja e tij, Edita Tahiri, nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për mediat në lidhje me atë çfarë është diskutuar në takim. Që para nisjes së delegacionit kosovar në Bruksel, ka qenë e diskutueshme çështja e mbishkrimit, që do të përdoret për të përfaqësuar Kosovën në nismat rajonale.
Pala kosovare ka rënë dakort që të shkojë me formulën e Rezolutës 12 44, Deklaratës së GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë. Por, Beogradi zyrtar ka rënë dakort vetëm për dy të parat, ndërsa ka hedhur poshtë përmendjen e Deklaratës së Pavarësisë në mbishkrim.
Ndërkohë ka qenë pikërisht mosmarrëveshjet për bashkëpunimin rajonal, ato të cilat kanë bërë që bisedimet të ndërpriten në fund të vitit të kaluar.
Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së ka filluar në marsin e vitit të kaluar, gjatë të cilit janë arritur disa marrëveshje, por ende lë për të dëshiruar zbatimi i tyre.