E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet, Kosova e Serbia të mërkurën në Bruksel

Kryesuesi i ekipit negociator për dialog teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviç tha sot se të mërkurën në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit, Prishtinës dhe të BE-së do të shqyrtojnë “çështjet e pazgjidhura nga Protokolli për menaxhimin e integruar të kufijve”.
 

“Ky proces do të zgjasë një kohë, nuk duhet pritur që do të ndodhë diçka substanciale dhe e madhe javën e ardhshme”, tha ai për televizionin serb Pink.
 

Sipas fjalëve të tij, qeveria serbe nuk do të lejojë që në vendkalime të ketë shenja të Kosovës.
“Do të ketë vetëm shenja informative, pa shenja të shtetësisë, e jo të të ashtuquajturës Republika e Kosovës”, tha Paviçeviç.
 

Ai po ashtu përsëriti fjalët e shefave të tij se qëllim strategjik i Serbisë është pranimi në BE, por që “nuk duhet lejuar që për arsye të datës së bisedimeve për datën e kandidimit gjërat të bëhen shpejt”.
 

Ai shtoi se prioritet është zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, si dhe i marrëveshjes për kadastrën (regjistrat civilë), i cili, siç tha ai, do të zgjidhë problemin e pronave të uzurpuara të serbëve në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›