Bisedimet Kosovë-Serbi, Tahiri niset në Bruksel

Dy ditët e ardhshme, në Bruksel do të mbahet raundi i shtatë i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Mediat kosovare, informojnë se zv/kryeministrja e Kosovës, njëherësh edhe kryesuesja e dialogut teknik,Edita Tahiri, është nisur sot për në Bruksel, për të marrë pjesë në bisedime.
Prishtina ka hedhur poshtë kërkesat e Beogradit për hapjen e diskutimeve për statusin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, duke nënvizuar se nesër e pasnesër do të bisedohen çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal. Por, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, vështirë se mund të tejkalohen në diskutimet e radhës.
Qeveria e Kosovës në kuadër të përgatitjeve për këtë takim ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, që ndërkohë Qeveria e Kosovës po e zbaton këtë marrëveshje që nga 16 shtatori.
Ndërkaq, për shkak të ngecjeve të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga ndërmjetësuesi Cooper që të bëhet një vlerësim zyrtarë për çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve, pra të vlerësohen përformancat e te dy palëve gjatë gjithë procesit të dialogut, si dhe ka kërkuar që konstruktiviteti i Qeverisë i dëshmuar gjatë gjithë bisedimeve të reflektojë në progresin e Kosovës drejt integrimit në BE.
Në delegacionin të Qeverisë së Kosovës janë edhe, Lirim Greiçevci, këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj, Këshilltare Politike, Gazmir Raci, Këshilltar Politik, Ibrahim Gashi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Florent Bakija, përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ali Hamiti, kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Fadil Ismajli, drejtor i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, si dhe Qemajl Marmullakaj, zyrtar i lartë për planifikim të politikave.