E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Tahiri: Nuk diskutojmë për pikat kufitare

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se çështja e telekomunikacionit, energjia dhe bashkëpunimi rajonal, janë disa nga temat që pritet të diskutohen në takimin e radhës, që pritet të mbahet të martën dhe të mërkurën në Bruksel.

Mirëpo, ende është e paqartë nëse në këtë takim do të marrë pjesë pala serbe. Kjo për faktin sepse ata kërkojnë që në kuadër të bisedave të diskutohet edhe për dy pikat doganore me Serbinë në veri të Kosovës. Kryenegociatori serb, Borisllav Stefanoviç, ka thënë se nuk ka kurrfarë kuptimi që të hapen tema të reja ndërmjet Prishtinës e Beogradit, derisa nuk rregullohen çështjet në veri.
Mirëpo, udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në biseda me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se me Serbinë kurrë nuk do të bisedohet për regullimin e brendshëm të Kosovës.
 

“Ne refuzojmë një temë të tillë, sepse çështja e pikave doganore është çështje e sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe për çështjen e sovranitetit nuk flasim me Serbinë. Serbia nuk pyetet për këtë çështje. Ne në kuadër të platformës tonë për dialog dhe rezolutës së kuvendit të Kosovës, i kemi vijat e qarta të kuqe që për çështjen e sovranitetit për integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm nuk bisedojmë në dialogun teknik”, Tahiri. Qeveria e Kosovës ka hartuar një plan për kontroll të plotë në pikat kufitare me Serbinë. Kryesuesja e delegacionit kosovar, thekson se pala kosovare çdo veprim që e ka ndërmarrë në veri të Kosovës është kordinuar me faktorin ndërkombëtar, të cilët i kanë bërë të qartë Serbisë se nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.
 

“Veprimet tona janë edhe në kuadër të qëndrimeve të qarta të partnerëve ndërkombëtarë, të cilat u artikuluan përmes porosisë së kancelarës gjermane, Angela Merkel, e cila i bëri të qarta kushtet e Serbisë në raport me Kosovën, që Serbia t`i ndërpresë vetë këto struktura paralele dhe të ndërpresë ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës dhe të bashkëpunojë në kuadër të dialogut teknik”, shprehet ndër të tjera Tahiri.
 

Gjithsesi, qeveria e Kosovës, tashmë ka hartuar një plan për integrimin e veriut të Kosovës me të cilin parasheh kontroll të plotë në pikat kufitare me Serbinë dhe në një të ardhme edhe mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë dhe krijimin e komunës së re të Mitrovicës veriore. Këtë plan e mbështet Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila thotë se plani i Ahtisarit, mbetet bazë për decentralizimin në Kosovë
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›