E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet Kosovë-Serbi, atmosferë pozitive në Bruksel

Vazhdon dialogu mes Kosovës e Serbisë në Bruksel , i cili ka filluar që në orën 10 të mëngjesit.

Palët kanë pasur një pause në drekë, dhe janë kthyer sërish, për të diskutuar marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.

Sipas burimeve të BE-së, takimi po zhvillohet në atmosferë pozitive, gjë që jep shpresë së mund të rezultojë me dy marrëveshje, atë për përmbushjen e pikave të marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe të menaxhimit të integruar të kufinjve, si dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.

Raportohet se më herët, para gazetarëve ka folur vetëm shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviç, i cili në lidhje me fusnotën për Kosovën ka thënë se ka qenë propozim i Serbisë, i përqafuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Ai ka thënë se zgjidhja për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale do të jetë duke marrë parasysh Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe Deklaratën e GJND-së, por ka hedhur poshtë mundësinë, që të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas BE-së, një arritje e marrëveshjes do të ishte në të mirë të të dy palëve, sepse Serbisë i ndihmon për statusin, ndërsa Kosovës për nismat rajonale.

Nuk dihet nëse ky raund bisedimesh do të përmbyllet sonte, apo do vazhdojë edhe nesër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›