Bisedimet Kosovë-Serbi, ende pa marrëveshje për kufijtë

Edhe në ditën e dytë të bisedimeve Kosovë-Serbi ku negociatorët e të dyja palëve u takuan për 12 orë me radhë nuk u lajmërua për ndonjë marrëveshje mes palëve, sa i përket menaxhimit të integruar të kufijve.
Serbia dhe Kosova kanë bërë “pak progres” në bisedimet që kanë për synim të qetësojnë tensionet në kufijtë e tyre, ka bërë të ditur një zyrtar i Bashkimit Evropian, njofton AFP.
Zyrtari i BE-së gjithashtu tregoi se përfaqësuesi i BE-së në bisedime, Robert Kuper do të njoftojë sot bllokun prej 27 shteteve të BE-së dhe gjithashtu do të ketë një deklaratë për shtyp.
Kryenegociatorja Edita Tahiri ka deklaruar më herët se "Kosova e ka pranuar marrëveshjen ndërsa Serbia jo".
"Ne e kemi pranuar marrëveshjen, por tani e tutje i mbetet BE-së që të merret me Serbinë në ditët në vazhdim. Kosova edhe sonte ka fituar një vlerësim të lartë para miqve ndërkombëtar" ka thënë Tahiri.
Kryenegociatorja kosovare ka akuzuar Serbinë për mentalitet të së kaluarës e cila ende mendon në rikthimin e të kaluarës, dhe që sipas saj ky qëndrim nuk e lejon atë të pranoj asnjë marrëveshje. Nga ana tjetër, negociatori serb Borislav Stefanoviç ka akuzuar palën kosovare se ajo po zvarrit dhe po bllokon procesin e negociatave me anë të kërkesave dhe qëndrimeve të saj.