Bisedimet Kosovë-Serbi vijojnë edhe sot
Dita e dytë e raundit të fundit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit është përmbyllur në mesnatë. Dialogu ndërmjet palëve pritet të vazhdojë edhe sot, kur zyrtarët e BE-së kanë shfaqur shpresën se do të arrihet edhe marrëveshja.
Çështja më e ndjeshme për diskutim mësohet se mbetet përfaqësimi i Kosovës në forumet rajonale. Nuk është e qartë nëse ajo do t`i referohet vetëm Rezolutës 1244 dhe opinionit të GJND-së apo edhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Siç është raportuar edhe më herët, Prishtina dhe Beogradi po diskutojnë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Ky raund i dialogut vjen pas disa muajsh ndërprerje, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Autoritetet kosovare kanë këmbëngulur në përfaqësimin e tyre si shtet, ndërsa ato serbe kanë insistuar në Rezolutën 1244 të OKB-së.
Ditë më parë, qeveria e Kosovës është pajtuar që poshtë emrit të Kosovës në forumet rajonale të figurojë mbishkrimi që përfshin edhe 1244-shin.
Marrëveshja e fundit mes palëve është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, e arritur në fund të vitit të kaluar, përkatësisht në raundin e tetë të bisedimeve.