E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet Prishtinë- Beograd, Brukseli ende pa format

Brukseli ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth formatit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar se për këtë do të vendoset pas bisedimeve respektive me palët. Një nga arsyet që procesi nuk do të mund të zhvillohet deri në vjeshtë, janë vonesat për formimin e Qeverisë së re në Beograd dhe pushimet verore, saktësojnë mediat. Sipas burimeve të gazetës “Express”, BE është duke pritur edhe formimin e Qeverisë në Beograd për të proceduar në vijim.“Para se të mund të vazhdojmë, duhet të formohet Qeveria në Beograd. Kur të bëhet një gjë e tillë, do të diskutojmë me të dyja palët se cila do të jetë mënyra më e mirë për të vazhduar dialogun”, ka thënë një zyrtar i BE-së. Së fundmi, lehtësuesi i bisedimeve Robert Cooper vizitoi Kosovën dhe takoi Kryeministrin Hashim Thaçin, por nuk u takua me kryenegociatoren Edita Tahiri. Zyrtarët e BE-së thonë se është në dorën e Thaçit të vendosë se kush do të marrë pjesë nga pala kosovare në takime me zyrtarët europianë.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›