Ish-kryeministri rumun dënohet dy vjet, tenton vetëvrasjen
Ish-kryeministri rumun, Adrian Nastase, i cili u dënua dy vjet nën akuza korrupsioni, ka qëlluar veten në qafë, por nuk ka arritur ta kryejë vetëvrasjen. Nastase u dënua për shkak të një vjedhjeje prej dy milionë eurosh nga buxheti i vendit për vitin 2004, me të cilat pastaj financoi fushatën e tij zgjedhore. Ai tentoi vetëvrasjen në kohën kur policia shkoi ta arrestonte, të mërkurën në mbrëmje, menjëherë pasi dënimi hyri në fuqi. Nastase ishte kryeministër në periudhën 2000-2004. Ai nuk i ka pranuar akuzat, duke i konsideruar ato si të motivuara politikisht. Kryeministri aktual i Rumanisë, Viktor Ponta, pasi e vizitoi atë në spital, tha për mediat se gjendja shëndetësore e Nastases është e qëndrueshme.